Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar punë e angazhim për të ruajtur bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar. Në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit ajo ka thënë se vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me aleancat e cenon mbrojtjen e Kosovës dhe është gabim strategjik.
Ajo ka përmendur rastin e sulmit në Banjskë duke thënë se Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve të rajonit për paqe e stabilitet të qëndrueshëm. Ndërsa ka theksuar se ajo nuk e ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por koordinim me SHBA-në.
“Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE-ja, fatkeqësisht ka qenë komplet i pabalancuar me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm të Serbisë. Fakti që në tavolinën e dialogut sot, shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa, kurse viktima e këtij agresioni, Kosova, është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje, nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”.
Adresimi i saj vjetor në Kuvend edhe këtë vit u bojkotua nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas tyre, presidentja ka vazhduar të mos përmbushë rolin dhe funksionin kushtetues.
Tv Klan