Rrjeti social TikTok është identifikuar nga fëmijët si hapësira në të cilën bëhet më së shumti bullizim në Kosovë. Rezultati ka dalë nga anketa e realizuar nga “Save the Children Kosova”, e që ka marrë për bazë përgjigjet e 1071 fëmijëve.
Bazuar në këtë anketë, rrjetet sociale dalin të jenë hapësira më e madhe ku bëhet bullizimi. 78 për qind e fëmijëve kanë raportuar se bullizimi është “shumë ose mesatarisht” i pranishëm në shkollën e tyre.
“Fëmijët identifikojnë më tej TikTok-un (78%), Snapchat-in (57%), shkollat dhe hapësirat publike (52%), Instagramin (45%) dhe Facebook-un (28%) si hapësira ku bullizmi ndodh shpesh ose gjithmonë”, thuhet në një komunikatë për media nga “Save the Children Kosova”, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
Në anketën “Zërat e Rinj”, 68% e fëmijëve besojnë se fëmijët në Kosovë përjetojnë diskriminim.
Në Ditën Botërore të Fëmijëve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka potencuar angazhimin e ministrisë në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Tv Klan