Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, nuk i kurseu batutat në prag të sfidës me Çekinë në Ligën e Kombeve.
Tekniku kuqezi, tha mes shakasë se Qazim Laçi, do të luajë titullar, nëse jep informacion për lojtarët kundërshtarë që i ka shokë skuadre te Sparta Pragë.
“Nuk i kam kërkuar informacion Laçit për shokët e skuadrës që luajnë te Çekia. Do e pyesim sot dhe në varësi të përgjigjes, do vendosim nëse do të luajë apo jo.”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Silvinjo deklaroi se nuk dëshiron që të ketë paralelizma me kombëtare të tjera, pasi Shqipëria ka rrugëtimin e saj.
“Kur flasim për kundërshtarin, e themi se është një ekip i vështirë dhe i ashpër. Kanë luajtur në Europian dhe Botëror. Ne jemi rritur në vitet e fundit, por mund të rritemi ende më shumë. Kemi lojtarë që po bëjnë mirë. Mendoj se do të kemi një ndeshje të bukur. Jemi dy skuadra të ndryshme, nuk ka çështje inferioriteti. Ne po rritemi. Kemi pasur një periudhë të mirë me Kombëtaren. Nuk dua të bëj paralelizma me kombëtare të tjera. Ky është rrugëtimi jonë dhe të shikojmë si do ecim.”, u shpreh Silvinjo.
Numri një i stolit kuqezi, e mbylli me një tjetër batutë, duke thënë se do të dëshironte të ishte në fushë si lojtar, së bashku me trajnerin e Çekisë.
“Koha kalon shumë shpejt dhe çdo ditë duhet at shikojmë si një dhuratë për ta jetuar. Trajnerin e Çekisë, e njoh pak. Është një trajner i mirë. Do doja që të luanim në fushë të dy, por jemi të vjetër.”, përfundoi Silvinjo.
Ndeshja mes Çekisë dhe Shqipërisë, do të luhet në stadiumin “Epet Arena” në Pragë, ndërsa transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan.
/tvklan.al