Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Trupat paqeruajtëse kanë filluar arrestimin e elementëve të dyshimtë në Timorin Lindor. Janë gjetur prej tyre 8 kufoma gjatë kontrolleve të kryera nëpër vende të ndryshme të Dilit kryeqendrës së provincës. Ndërkaq presidenti Indonezian Habibi, ka dekretuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme e u ka dhënë urdhër ushtarakëve të largohen përpara hyrjes së plotë të flotës paqeruajtëse ndërkombëtare, e cila është në komandën e Australisë.
Kjo lëvizje e fundit e Xhakartës zyrtare është thikë me dy presa pasi i hap rrugë bandave pro indoneziane për të shkaktuar rrëmuja dhe panik tek popullsia timoreze. Vendet e përfshira në zgjidhjen e krizes kanë filluar një operacion të madh për furnizimin e popullsisë së provincës me ushqime.
Kriza e Timorit Lindor po reflektohet edhe në shoqërinë indoneziane. Qindra studentë kanë protestuar sot në Xhakarta kundër një projekt ligji i cili do ti jepte kompetenca më të mëdha ushtarakëve. Ligjvënësit indonezian u detyruan të aprovojnë një variant tepër kontradiktor të këtij ligji./tvklan.al