Para zgjedhjeve parlamentare, situata politike në vend nuk është aspak e qetë. Pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit, deputetët e PD-së rikthyen tensionin në sallën e Kuvendit. Ky vendim i gjykatës sipas tyre është “urdhër politik”. Mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion”, deputeti i PD Luçiano Boçi theksoi se opozita do vërë në funksion çdo instrument ‘mosbindjeje’, përveç bojkotit parlamentar.


“U gjet simbolika e duhur, por nuk është ky standardi. Do përshkallëzohet…Përjashto bojkotin, të gjitha janë të mundshme. Nëse ka luftë, do marrin luftë! Ajo që prevalon është lufta për ekzistencë politike, me aksion politik. Zgjedhjet grabiten dhe nëpërmjet aksionit dhe mosbindjes civile synohet ngritja e qeverisë teknike. Rama ka shpallur luftë dhe kërkon të eliminojë opozitën. Të burgosësh një deputet pa vepër, fakt e provë penale…Ne jemi në kufijtë e absurdit!”

Ai krahasoi kryeministrin Edi Rama me Enver Hoxhën.

“Edhe Hoxha dënonte me drejtësinë popullore, me prokurorë, dëshmitarë të rremë. Kënaqësia më e madhe e tij ishte kur dëshmitar të rremë bënte familjarin dhe ky lloj devijimi psiko-politik po ndodh edhe sot.”

Kujtojmë se seanca e sotme plenare zgjati më pak se 30 minuta, e shoqëruar me debate, hedhje mjetesh në drejtim të kryetares së Kuvendit e deri te djegia e karrigeve jashtë Parlamentit.

/tvklan.al