Skandal në portin e Sarandës. Një anije turistike më 130 pasagjerë në bord nuk është lejuar të ankorohet në breg, por është detyruar të kthehet mbrapsht për shkak se në një prej kalatave të portit ishte, duke u përpunuar një anije mallrash me çimento. Vendimi absurd është marrë nga autoritet portuale të cilat kanë kërkuar që anija turistike të përpunohet në det të hapur, duke i zbritur turistët me gomone drejt bregut.

“Njoftimi për ardhjen e dytë brenda këtij viti, na u bë para 24 orëve, kalata e përpunimit të anijeve, për këtë ishte e zënë nga një anije tregtare që përpunohet çimento. Moti i keq bëri që përpunimi i saj mos të realizohet, turistët  nuk pranuan të zbrisnin me laça kështu që dhe anija u kthye mbrapsht”.

Anija “Clipper Adventure” kishte lajmëruar 1 dit më parë për mbërritjen e saj në qytetin bregdetarë, por çuditërisht autoritetet portuale nuk morën asnjë masë për përpunimin e saj, ndryshe nga 2 rastet e 1 jave më parë kur 2 anije tregtare ndërprenë përkohësisht përpunimin në port për t’u lënë vendin anijeve turistike.

“Kalata ku përpunohen anijet kemi futur herë pas here dhe tragete të cilët nuk kanë mundësi qëndrimi në ratë. Kështu që ne kemi nxjerrë anijen tregtare jashtë dhe kemi futur tragetin turistik. Është një kosto që duhet të paguhet kur anija del në ratë, kur rifutet përsëri. Lëvizin të gjitha kontratat që kemi nënshkruar me subjekte të cilat përpunojnë mallin. Në rastin konkret nuk kishim pse të alarmoheshim kaq shumë”.

Anija “Clipper Adventure” vizitonte për herë të dytë gjatë këtij viti Portin e Sarandës, por kësaj radhe turistëve u është dashur të presin me orë të tëra deri në momentin që kanë marrë urdhrin absurd për të zbritur me gomone, çka i kanë detyruar të anulojnë vizitën e programuar për në qytetin bregdetar.

Kthimi mbrapsht i 130 turistëve mund të konsiderohet një prej skandaleve më flagrante të administratës portuale shqiptare, interesat e ngushta të së cilës bëhen pengesë serioze për zhvillimin ekonomisë dhe turizmit në vend.

Përfshirja e autoriteteve portuale shqiptare në këtë skandal të pa precedent, ndodh vetëm pak ditë pasi kryeministri Sali Berisha dhe ministri i turizmit Ylli Pango, çelën sezonin turistik në qytetin bregdetar pa e ditur se imazhi dhe krenaria e turizmit shqiptarë në botë do të merrte një goditje të rëndë./tvklan.al