Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ndryshimet në kodin zgjedhor nuk do të miratohen nga partitë e vogla në Kuvend. Kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi deklaron, se nëse PS dhe PD nuk marrin parasysh kërkesat e partive të tjera parlamentare, do të serviret produkti i njohur i komisionit Ruka-Gjana.
Skënder Gjinushi: “Nisja është e gabuar, me një komision bipartizan, a partizano-ballist, i cili është antikushtetues, nuk krijon hapësirat për pjesëmarrje të plotë të ngjyrave të Kuvendit në të, megjithatë komisioni do të prodhojë aq sa mund, unë shpresat i kam tek puna e ekspertëve dhe tek rekomandimet e OSBE-ODHIR që janë të qarta. Kështu që kodi nuk do të ketë problem kalimi, ato amendamente që do të jenë në përmirësim dhe konform rekomandimeve, po po u propozua ndonjë shpikje, pra ndonjë nen i sforcuar siç ishin paketa Gjana-Ruka më parë, sigurisht që ajo do të ketë probleme dhe s’do kalojë”.
Partitë e vogla të pozitës dhe opozitës kundërshtuan në fillim të muajit korrik protokollin e firmosur mes PS dhe PD për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj