Grabitet në mes të ditës NGB Bank. Tre djem të maskuar dhe me armë kanë arritur të vjedhin në mes të ditës filialin e Bankës Nacionale Greke, e cila ndodhet në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës.

Rreth orës 12:00 të mesditës punonjës të bankës si çdo ditë kanë kryer veprimet e zakonshme bankare, paçka se data 1 e muajit ka përkuar dhe me ndarjen e pagave apo mbi xhiro të mëdha transaksionesh.

Deri më tani ka dy versione që lidhen me shumën e parave të grabitura. Aty zyrtarët flasin për 1 milion lekë të vjetra të vjedhura nga xhiro e ditës, ndërsa burime që s’duan të identifikohen thonë se nga NBG Bank janë vjedhur plot 30 mijë euro.

Efektivë të komisariatit nr.6 deklarojnë gjithashtu se personat që morën përsipër grabitjen nuk kanë qenë të armatosur, por në duar kanë patur shkopa bejsbolli.

Në komisariat janë shoqëruar roja e bankës si dhe disa nga punonjësit e saj, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me përshkrimin e personave dhe atë çka ndodhi brenda ambienteve.

Grabitja e parave ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërsa largimi i tyre nga vendi i ngjarjes ka qenë edhe më i shpejtë.

Dëshmitarët i kanë parë tre personat të largohen me një makinë e tipit “Benz” ngjyrë e bardhë dhe pa targa.

Kamerat e sigurisë do të dëshmojnë të tjera detaje mbi veprimet e grabitësve, të cilët do të konfirmojnë më saktë dëshmitë e marra nga personeli i bankës deri diku i terrorizuar nga skena e krimit./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani