Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho ka bërë publike listën provizore me 27 futbollistë të Kombëtares Shqiptare të futbollit për Kampionatin Europian 2024 në Gjermani.

Për të folur më shumë për këtë dhe për të gjitha zhvillimet lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Euro2024 të një bisedë në studion e Klan News me gazetarin Besard Jacaj ishte drejtori i Komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra si dhe në një lidhje direkte edhe ish-futbollisti Elvin Beqiri.

Gjatë fjalës së tij Kodra sqaroi se çfarë është lista provizore ku theksoi se data 7 Qershor është afati i fundit për dorëzimin e listës zyrtare.

-Zoti Kodra çfarë do të thotë listë provizore?

Fatjon Kodra: Listë provizore, po të shikosh të gjithë lojtarët që marrin pjesë në europian ne kemi listën nga më të voglat që do të thotë për gati 15 apo 16 ditë të gjitha kombëtaret kanë një fazë prërgatitore paraprake dhe të gjitha kombëtaret kanë miqësore dhe në këtë mënyrë trajnerët do të kenë mundësi të shikojnë sepse duke qenë se ti nuk e ke lojarin gjithë kohës aty… I kemi ndjekur, por është tjetër gjë kur e shikon se si punon në stërvitje. Është një periudhë testi ku në fund fare trajnerët bëjnë një analizë se kush janë lojtarët më të mirë sipas asaj që ata kanë parë gjatë kësaj periudhe dhe pastaj shkurtohet lista që është në 26 lojtarë maksimumi nga UEFA për të marrë në Europian. Data 7 Qershor është afati i fundit për të dorëzuar listën zyrtare, pra deri më 7 Qershor çdo skuadër mund të bëjë ndryshime, ndërkohë që pas datës 7 Qershor në rast dëmtimi mund të zëvendësosh vetëm 1 lojtar.

Ndërkohë ish-futbollisti Beqiri i pyetur se cilat janë pikat e forta të kombëtares që ka arritur në këtë pikë theksoi se fryma e grupit e krijuar nga trajneri Sylvinho është një ndër kryesoret.

-Çfarë ka të veçantë kjo kombëtare sot dhe çfarë ka të veçantë Sylvinho që arriti ta merrte në një moment jo të mirë kombëtaren shqiptare të futbollit ku pakkush besonte për herë të dytë pas tetë vitesh që jemi pjesë e kampionatit evropian Gjermani 2024. Cilat janë pikat e forta apo sekretet që e bënë Sylvinhon të çojë kombëtaren deri në këto nivele.

Elvin Beqiri: Patjetër kryesorja ishte grupi. Sylvinho arritit të krijonte një grup lojtarësh shumë të mirë nga aspekti jo vetëm teknik, por edhe të frymës së grupit. Të krijojë një anë psikologjike shumë të mirë dhe kjo mendoj që ishte një armë e fortë që luajtën me qëllimin që të kenë një destinacion. Luajtën gjithmonë me qëllimin që të kenë një destinacion, një qëllim pas atyre ndeshjeve të eliminatoreve që ishin ndeshje që nuk i kemi pritur të ishin aq të mira, por ishte meritë e trajnerit, stafit ku në një sukses marrin pjesë të gjithë. Kanë qenë gjithmonë në harmoni me njëri-tjetrin dhe nuk do të kishte rrugë tjetër përveç suksesit.

Ndër të tjera Kodra jep më shumë detaje lidhur me programin deri në ditën e nisjes së ndeshjeve. Gjatë fjalës së tij ai bën të ditur se kombëtarja shqiptare do të jetë e para e cila do të mbërrijë në Gjermani me datën 8 Qershor.

Fatjon Kodra: Kombëtarja me 31 Maj do të niset për në Austri, për në qendrën stërvitore dhe aty për 9 ditë me rradhë do të stërviten rregullisht dhe gjatë këtyre ditëve do të kemi edhe dy ndeshjet miqësore në datë 3 Qershor me Lihtenshtejnin dhe me datë 7 Qershor është miqësorja e dytë më Azerbajxhanin. Pikërisht pas kësaj ndeshje do të saktësohet edhe lista dhe me datë 8 Qershor skuadra do të transferohet afër Dortmundit në Gjermani. Shqipëria është skuadra e parë që mbërrin nga të gjitha kombëtaret në Gjermani.

Ndërkohë lidhur me interesimin nga tifozët për ndeshjet Kodra thekson se një nga ndeshjet që ka pasur më shumë kërkesa është ndeshja Shqipëri-Itali.

Fatjon Kodra: Interesim shumë i madh nga autoritetet dhe tifozët. Jemi shpresëplotë që edhe këtë herë do të ketë një sjellje shembullore të tifozëve. Është ndeshja Shqipëri-Itali në mos gaboj që ka qenë nëse bëjmë një klasifikim për ndeshjen që ka pasur më shumë kërkesa përveç finales dhe ndeshjes hapëse që është Gjermani, vinte ndeshja Gjermani-Zvicër dhe Shqipëri- Itali. Një nga dy ndeshjet më të kërkuara të fazës së grupeve ka qenë Shqipëri-Itali dhe sot shumë njerëz, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga Shqipëria ka një interes të jashtëzakonshëm veçanërisht për ndeshjen me Italinë, por edhe me Kroacinë dhe me Spanjën janë shitur biletat.

Sa i përket listës së prezantuar nga Sylvinho, Beqiri shprehet se nuk duhet të ketë hatërmbetje dhe se e rëndësishme është të kemi një grup të mirë. I pyetur lidhur me Armando Brojën ai theksoi se futbollisti do të jetë një ndihmë shumë e madhe për kombëtaren.

“Nuk duhet të ketë hatërmbetje. Kjo është një zgjedhje e momentit. Sigurisht kombëtarja jonë tani ka marrë një pamje tjetër kështu që ne e rëndësishme është që të kemi një grup të mirë dhe ta mbështesim këtë grup”, shprehet ish-futbollisti Elvin Beqiri

-Çfarë prisni nga Broja, çfarë mund t’i sjellë kombëtares shqiptare?

Elvin Beqiri: Nëse ne do diskutojmë talentin e Brojës atëherë do të jemi gjithmonë me dilema ku kemi problem me menaxhimin e talenteve. Sylvinho mendoj që ka bërë zgjedhjen e duhur. Duke pasur parasysh edhe moshën e tij të re pati një shkëputje aftatgjatë, por mendoj se tashmë është rikthyer dhe besoj se me këtë kompeticion do të jetë një ndihmë shumë e madhe për kombëtaren./tvklan.al