Në emisionin “Pro Business” në TV Klan, Tomi Kallanxhi, anëtar i bordit të “Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Online”, diskutoi pasojat e mundshme të mbylljes së TikTok për bizneset dhe përdoruesit në Shqipëri.

Ai theksoi se mbyllja e TikTok do të kishte një ndikim të dyfishtë, jo vetëm në bizneset dhe influencerët që përdorin platformën, por edhe në kompanitë që ofrojnë shërbime interneti. Kallanxhi vuri në dukje se TikTok përbën rreth 30% të trafikut të internetit në Shqipëri dhe mbyllja e tij do të ndikonte negativisht në të ardhurat e kompanive të internetit, të cilat fitojnë nga shpenzimet e përdoruesve për trafik.

Për influencerët, Kallanxhi theksoi se shumë prej tyre fitojnë nga 5 deri në 15 mijë euro në muaj përmes TikTok, kryesisht përmes sponsorizimeve dhe reklamave. Edhe pse ata kanë llogari në platforma të tjera si Instagram, aktiviteti dhe arritja e audiencës nuk është e njëjtë.

 Ai gjithashtu theksoi se mbyllja e TikTok në Shqipëri do të ishte më e vështirë se sa në SHBA, pasi në Shqipëri do të duhej që shteti të bllokojë platformën, ndërsa në SHBA ,TikTok vetë vendosi ta mbyllte.

Kallanxhi paralajmëroi gjithashtu se të rinjtë shqiptarë, të cilët janë të informuar për teknologjitë e reja si VPN dhe interneti satelitor (p.sh., Starlink i Elon Musk), mund të gjejnë mënyra alternative për të aksesuar TikTok, duke anashkaluar bllokimet e qeverisë.

Për bizneset e vogla dhe të mesme, mbyllja e TikTok do të ishte një goditje e rëndë, pasi platforma ofronte një mundësi unike për t’u bërë viral dhe për të arritur një audiencë të gjerë pa nevojën e reklamave të drejtpërdrejta. Kallanxhi këshilloi bizneset të krijojnë një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të klientëve, duke hequr dorë nga porositë përmes mesazheve direkte në Instagram dhe duke investuar në platforma “e-commerce” me databaza klientësh, ku mund të ofrojnë informacione në kohë reale për produktet dhe promocionet.

Në përfundim, Kallanxhi theksoi nevojën për një qasje strategjike nga bizneset për të përshtatur ndryshimet dhe për të ruajtur lidhjet me klientët në rast të mbylljes së TikTok./tvklan.al