Sali Berisha: “Denonconi me guxim dhe fakte pranë autoriteteve çdo zyrtarë që ju pret gjoba për të drejta apo shërbime që ju takojnë. Numri im i telefonit është 0692099410 dhe është gjithnjë i hapur për mesazhet tuaja”.

Kështu iu drejtua kryeministri Berisha qytetarëve gjatë një spoti televiziv duke kërkuar prej tyre të denoncojnë me fakte pranë autoriteteve korrupsionin dhe që prej kohës që ky spot u transmetua, qindra mesazhe kanë mbërritur në numrin personal të kreut të qeverisë shqiptare. Mesazhet kanë të bëjnë me shqetësimet e qytetarëve për fusha të ndryshme, por vendin kryesor e zënë ato që lidhen me pronësinë me 80% të totalit të sms-ve.

Kështu tregon zoti Oerd Bylykbashi, drejtues në departamentin e kontrollit të brendshëm dhe anti-korrupsionit në kryeministri.

Oerd Bylykbashi: “Si pjesë më e madhe e ankesave ka lidhje me çështje pronësie që zënë midis 70-80% të volumit të ankesave që ne marrim, kryesisht numrin më të madh të ankesave e marrim ose nga qendrat e mëdha urbane, por i gjejmë goxha të përhapura dhe në pjesët që kanë interes zhvillimi turistik kryesisht bregdetin. Shumë ankesa vijnë nga zona e Vlorës, nga zona e Ujit të Ftohtë më pas do të rendisja ankesën në lidhje me procedura prokurimi apo koncesionesh”.

Por cila është rruga që ndiqet, kur mesazhet mbërrijnë në celularin e kreut të qeverisë. Ato klasifikohen sipas shqetësimeve dhe më pas janë këshilltarët që i ndjekin problemet. SMS-të delegohen duke marrë për bazë fushën specifike që lidhet me pretendimin për korrupsion, e më tej ato ndiqen deri në institucionet apo dikasteret ku qytetari pretendon për veprime korruptive.

Oerd Bylykbashi: “Në raportin e kontrollit neve japim rekomandime të cilat janë të llojit organizativ, ku neve u rekomandojmë institucioneve të kontrolluara që të përmirësojnë situatën nëpërmjet masash të ndryshme, por gjithashtu nxjerrim edhe rekomandime me karakter masë disiplinore. Kur ne rekomandojmë masa disiplinore që fillon nga vërejtje dhe mund të përfundojnë me largime nga puna të peronave përgjegjës”.

Nga verifikimet që janë realizuar deri më sot, drejtori i departamentit antikorrupsion. Deklaron se nga kryeministria janë çuar për ndjekje penale mbi 100 raste.

Oerd Bylykbashi: “Departamenti i kontrollit ka bërë kallëzime penale për më shumë se 110 funksionarë të niveleve të ndryshëm, kallëzime të cilat janë bërë në prokurori”.

Në fakt kjo është vetëm njëra prej shumë përpjekjeve të kreut të qeverisë që t’i nxisë qytetarët të denoncojnë korrupsionin. Në selinë e Kryeministrisë kohë më parë u instaluan 2 numra telefonash pa pagesë, ku qytetarët shqiptarë mund të denoncojnë të gjithë ata zyrtarë të cilët kërkojnë ryshfete për shërbime të caktuara. Këta numra telefoni janë vendosur edhe në faqen zyrtare të kryeministrisë në internet ku të gjithë mund të denoncojnë aktet korruptive./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini