Socialistët kanë akuzuar mazhorancën, se po shpërfill ndërkombëtarët referuar qëndrimit mbi ligjin shumë të debatuar atë të lustracionit. Arta Dade, anëtare e kryesisë së selisë rozë ka ripërsëritur edhe njëherë nevojën që ligji të mos zbatohet për sa kohë çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Dade tha, se çdo veprim kundër kësaj fryme që kërkon respektim të institucioneve kushtetuese do të rrezikonte izolimin e vendit.

Arta Dade: “Është për të ardhur keq që dhe njëherë, kryetarja e parlamentit si nën kryetare e PD-së shprehu konceptet izolacioniste dhe arkaike, koncepte që do t’i shkonin përshtat vetëm regjimeve autoritariste. Është për të ardhur keq që këto qëndrime dhe kjo shurdhëri në mënyrë të përsëritur, mbajnë peng procesin integrues të Shqipërisë në Bashkësinë Europiane. PS ka bërë ankimim pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ne padyshim që presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Socialistët animuan ligjin vetëm një ditë pasi ligji për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve hyri në fuqi. Ankimimi i selisë rozë flet për të paktën 28 nene të kushtetutës që shkelen nga ky ligj./tvklan.al

Gazetarja: Menada Zaimi

Operatori: Klodian Keçi