Largimi i djeshëm i kreut të shumë përfolur të doganave Ferdinanda Papadhima nuk e ka shpëtuar Ministrin e Financave Kastriot Islamin nga kryqëzimi i deputetëve socialist. Në mbledhjen me dyert e mbyllura të grupit, Islamit i është dashur të përballet me akuza dhe sulme të ashpra nga deputetët të cilat e kanë akuzuar Ministrin e Financave për lëvizjen e tij që është cilësuar me pasoja të rënda për mazhorancën socialiste.
Burime brenda grupit socialist thonë se sulmin e ka nisur deputeti Et’hem Ruka, i cili është pasuar edhe nga deputetë dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Zëvendës kryeministri Meta ka akuzuar kreun e financave se ka dezinformuar qeverinë kur ka fshehur të kaluarën e Papadhimës.
Ilir Meta: Mendoj se deputetët kanë një përgjegjësi të madhe. Grupi parlamentar politik për qeverisjen e mazhornacës edhe diskutimi i sotëm përsa i takon emërimit të ish-drejtorit të përgjithshëm të doganave është në kuadër të zhvillimit të kësaj përgjegjësie dhe të rritjes së transparencës, në mënyrë që ashtu sikurse e përmendi në konkluzionet e tij dhe kryetari i grupit parlamentar zoti Ruçi emërime të tilla të mos përsëriten në të ardhme , dhe që mazhoranca të mos dëmtohet në imazhin e saj dhe të mos krijojmë kosto të panevojshme politike.
Akuza dhe sulme Islamit i kanë ardhur dhe nga deputetë të tjerë, të cilët nuk preferojnë të flasin se cila do të jetë përgjegjësia e kryeministrit ndaj postit të tillë ndërsa saktësoi se ndryshimet në kabinet i përkasin kryeministrit Nano i cili ka munguar në mbledhje.
Bardhyl Agasi: Në grupin tonë parlamentar diskutuam me shumë përgjegjësi për rastin e drejtorit të doganave si një emërim jashtë kritereve dhe shokët adresuan kritika ndaj ministrit dhe ndaj kabinetit qeveritar.
Mustafa Muçi: Dorëheqjet sigurisht janë probleme që lidhen me persona të caktuar janë qëndrime subjektive, ndërsa ndryshimet në qeveri është kryeministri që i përcakton.
Megjithatë Islami nuk i ka mbyllur këtu hesapet me grupin socialist. Të martën e ardhshme ai do të paraqitet përsëri për të dhënë llogari për çështjen Papadhima. I gjendur i sulmuar dhe pa përkrahjen e kryeministrit Islami ka kërkuar kohë për tu përgatitur për pyetjet e deputetëve socialist./tvklan.al