Pak para se t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë, socialistet e Shkodrës kanë denoncuar atë që ata e quajnë përpjekje të Edi Ramës për të manipuluar procesin zgjedhor. Dy prej komisionerëve të konstituuar nga asambleja e qarkut si pjesëtarë të komisionit zgjedhor të rrethit, u është hequr e drejta për të qenë pjesë e administrimit të procesit. Sipas krerëve lokale kjo është bërë pa asnjë motiv dhe në mungesë të plotë të transparencës nga selia rozë.
Edip Shiroka: “Është i çuditshëm fakti që ndërsa kërkojmë standardet zgjedhore në Shqipëri, i shkelim në të dyja këmbët në proceset zgjedhore brenda partisë. KQZ në parti me një vendim absurd bën zëvendësimin e komisionit të rrethit të përfaqësuesve të partisë Shkodër. Përfaqësuesit tanë tashmë të konstitouar në këtë komision, profesor të nderuar zëvendësohen pa asnjë kriter dhe pa dhënë asnjë shpjegim me të tjerë persona kriteri i vetëm i të cilëve është besnikëria e kohëve të fundit, ndaj kandidatit Rama”.
Burhan Vajushi dhe Agim Haliti respektivisht nënkryetar dhe anëtar i komisionit të rrethit për administrimin e zgjedhjeve janë njoftuar për shkarkimin nga kjo detyre. Në vend të tyre janë emëruar Jetmira Kozmai dhe Genc Uruçi.
Burhan Vajushi: “Largimi jonë ditën e mramshme nga ky pozicion është bo me dy motive. Arsyeja parë është sepse ne 30 vetë që kemi marrë pjesë në një takim hapë në Tiranë për lëvizjen jo bojkotit, kur vetë kryetari në detyrë shkel i pari kushtetutën e PS-së, mund të ishte një proces pothuajse i dështum dhe ne do të paraqitshim vetëm realitetin, ato e kanë nuhat mësmiri këtë konsideratë ndaj nesh”.
Duke i quajtur zgjedhjet e pritshme për kryetar të PS-së si një farse elektorale dhe një hap mbrapa për këtë force politike, socialistet e Shkodrës i kanë kërkuar rivalit tjetër në garë, kandidatit Maqo Lakrori të mos bëhet pjesë e këtij skenari.
Edip Shiroka: “I drejtohemi kandidatit tjetër profesorit të nderuar Maqo Lakrori. Mospërfshirja jote në këtë proces të dështuar pa filluar akoma do jetë shërbimi më i mirë për PS-n, për të gjithë socialistët dhe progresistët, për të gjithë ata votues të shumtë në gjithë Shqipërinë që na besuan me 28 qershor, por që e shpërdoruan dhe po shpërdorohet nga lidershipi aktual i PS-së”.
Zgjedhjet për kreu e ri të PS-së do të mbahen më 26 shtator, edhe pse një pjesë e socialisteve kanë paralajmëruar për bojkot të tyre./tvklan.al
Gazetari: Simon Shkreli