Socialistët evropianë dënojnë bojkotin parlamentar të socialistëve shqiptarë. Në një takim të zhvilluar në Strasburg me përfaqësues të Partisë Socialiste të Shqipërisë mes të cilëve dhe deputetja Arta Dade, grupi parlamentar socialistët i Asamblesë së Këshillit të Europës, e ka cilësuar të pakuptimtë qëndrimin e Edi Ramës i cili ndërkohë që njeh rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, nuk pranon të hyjë në Kuvend.

Deputeti polak Iëinski Tadeusz, ka deklaruar se bojkoti është i rrezikshëm dhe vendim kontradiktor.

Iwinski Tadeusz: “Duke mos shkuar në parlament, ju nuk bëheni pjesë e delegacionit të Këshillit të Europës, ndërkohë që e majta shqiptare sa vjen dhe po bëhet më e copëzuar.”

Deputeti laburist Den Maschan, ish-ministër shteti për Evropën ka sjellë si shembull analog rastin e ish-kandidatit për president të SHBA, për ta krahasuar me Ramën.

Den Maschan: “Më duket sikur po dëgjoj Al Gorin, kur ankohej për republikanët dhe Bushin. Ne e dimë që ankesat e tij nuk gjetën mbështetje. Bojkoti nuk është mënyra me të cilën punohet në Europë, duke kundërshtuar rezultatin dhe duke mos pranuar humbjen. Rama është tepër kontradiktor, kur thotë se pranoj rezultatin, por nuk hyj në parlament.”

Ndërkohë deputeti estonez Saar Indrek, vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në zgjedhjet e 28 qershorit ka deklaruar se vlerësimi për numërimin e keq ose shumë të keq, në 1/3 e qendrave të numërimit nuk është i saktë.

Saar Indrek: “Vlerësimi për numërimin e keq ose shumë të keq në 1/3 e qendrave e numërimit nuk është i saktë, pasi është verifikuar se kjo ka patur të bëjë me gabime burokratike, por jo me numërimin e votës. PS nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje pas atyre parlamentare.”

Qëndrimin e ashpër që socialistët europian kanë mbajtur në lidhje me bojkotin e Partisë Socialiste shqiptare e ka konfirmuar dhe deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda, e cila është pjesë e delegacionit parlamentar në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Mesila Doda: “Sot numri i deputetëve të ardhshëm të PS-së i kryesuar nga zonja Dade, zoti Balla dhe zoti Ahmetaj, kanë patur një seancë dëgjimore nga ana e grupit të Partive Socialiste Evropiane pranë Këshillit të Europës. Me sa ne mësuam ne sot nga kolegët tanë të pranishëm qëndrimi i mbajtur ndaj PS-së ka qenë mjaft i rreptë. Kanë ndërhyrë në seancë kolegët britanikë, polak, estonez, të cilët kanë theksuar se bojkoti është një akt i rrezikshëm për vendin dhe kontradiktor, pasi nga njëra anë kërkon krijimin e një komisioni hetimor dhe nga ana tjetër nuk hyn në parlament.” 

Ndërkaq deputetja socialiste Arta Dade ka deklaruar se nuk do të digjen mandatet e socialistëve shqiptarë. Këtë zonja Dade e ka konfirmuar dhe gjatë një komunikimi telefonik me Tv Klan, duke lënë të kuptohet se do të hyjë në parlament për të bërë të vlefshëm mandatet e tyre dhe më pas do të vijojnë sërish me bojkotin.

Ndërkaq në mbledhjen e grupit socialist në Asamblenë Parlamentare të KiE u diskutua dhe për draft raportin për Shqipërinë dhe draft rezolutën të cilat do të votohen nesër pasdite në seancë plenare./tvklan.al