Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dritan Prifti:- “Në fakt, fjala e zotit Nano m’u duk një fjalë absolutisht jo përfaqësuese, një fjalë që nuk i shkon për shtat ta mbajë kryetari i PS, që normalisht në kongresin e partisë duhet të përfaqësojë gjithë delegatët dhe gjithë anëtarësinë socialiste. Këtë e them edhe sepse po të matim minutazhin e kësaj fjale, gjysma e fjalës ishte demagogji për sukseset që do të arrijmë në 2015 dhe 2025, nuk ishte aspak llogaridhënie për situatën ku ndodhemi sot dhe gjysma e fjalës ishte goditje e mendimit ndryshe dhe kundërshtarëve politik brenda partisë. Unë mendojë që demagogjia ishte si zakonisht, mbase dhe më e shfrenuar, sepse arriti deri aty sa të japë mesazhe shumë dëshpëruese për shqiptarët. Mesazhi që zoti Nano dha për anëtarësimin në BE në vitin 2025 është një mesazh shumë i trishtuar. PS në raportin e saj duhet të përfshinte pranimin e gabimit për mosbërjen e aleancave parazgjedhore, ashtu siç duhet të premtonte para elektoratit që rrugën e përçarjes së të majtës”.

Namik Dokle:- “Raporti i zotit Nano, pikërisht përcaktonte këto piketa, të një partie serioze, të një force politike shqiptare, që tashmë është anëtare e Internacionales Socialiste dhe të një vendi, i cili është në rrugën e integrimit dhe është një aleat i respektuar i aleancës anti-terror dhe është një raport i një qeverisje që tashmë i ka dhënë fund ngrirjes së buzëqeshjes së shqiptarëve. Unë jam shumë i bindur që zoti Nano do fitojë, me këtë bindje kam firmosur listën e njerëzve që e propozojnë atë për kryetar të partisë dhe kjo bindje besoj që do të funksionojë në shumicën e delegatëve të kongresit”.

Spartak Braho:- “Është një fjalim, në kuadër të fjalimeve demagogjike, që nuk evidenton ato probleme që ka sot qeverisja dhe PS”.

Fatmir Xhafaj:- “Një fjalim i cili përpiqet që të ketë argumente, të argumentojë këto vite të qeverisjes së PS, natyrisht argumente edhe për tezat dhe kundër tezat që janë hedhur në politikë gjatë kësaj periudhe para kongresuale dhe kryesorja është që ka mesazhe pozitive, për atë, se çfarë duhet t’i bashkojë socialistët dhe çfarë duhet të zgjidhë ky kongres. Në rreshtat e fjalimit të zotit Nano kuptohej shqetësimi për krizën që kishte PS, por unë mendoj, ndoshta zoti Nano nuk ka dashur që fjalimi i tij t’i rriste tensionet, por përkundrazi, t’i ulte tensionet, t’i ulte tonet dhe në mundësinë që t’i japë të gjithë aktorëve mundësinë, që në alternativat që do të shfaqë në pikëpamjet e tyre të fokusohen tek ato që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë”./tvklan.al