Qeveria do të ndërtojë bypassin e Vorës, i cili do të mundësojë lehtësimin e lëvizjes së automjeteve në pjesën e autostradës që kalon në këtë bashki dhe rrugët kryesore të saj.

Kështu deklaroi Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë ceremonisë së përurimit të lulishtes së ndërtuar në qendër të Vorës, e mundësuar nga një investim i qeverisë spanjolle.

Sokol Olldashi: “Disa programe konkrete që ne kemi në zhvillim e sipër, që është kryesore, është nyja apo bypass-i i Vorës, qoftë e mund ta quajmë kështu, e cila do të shpëtojë Vorën nga trafiku i përminutshëm i autostradës Tiranë-Durrës, e cila bashkëshoqëruar edhe me nismat e bashkisë për mbrojtjen akustike, do t’i japë qytetit mundësinë që të mos ndjejë dhe të mos afektohet nga zhvillimet e aksit Durrës-Tiranë.”

I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe ambasadori spanjoll Manuel Montobio, i cili tha se Spanja do të jetë një aleate e përhershme e Shqipërisë në të gjitha fushat.

Krahas kësaj, me investimin spanjoll u mbollën pemë dekorative në shkollën 9-vjeçare të Vorës, si dhe vreshta ullinjsh në Marqinet të Gërdecit./tvklan.al