Në prag të 10 vjetorit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Havier Solana ka vlerësuar progresin e jashtëzakonshëm të vendeve të Ballkanit. Në një intervistë për televizionin publik çek, Solana tha se sot Ballkani është një rajon krejtësisht i ndryshëm dhe në rrugë të mirë drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian.
Diplomati u shfaq optimist për të ardhmen e rajonit duke argumentuar se ndonëse këto 10 vjet janë një periudhë relativisht e shkurtër, shtetet ballkanike kanë ecur me hapa gjigande sidomos përsa i përket stabilitetit.
“Disa shtete të Ballkanit kanë hyrë në BE, ndërsa shtetet tjera janë kandidatë. Shumica e shteteve në mënyrë institucionale janë të lidhura ngushtë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Këto shtete kanë një të ardhme evropiane dhe mendoj se, për një kohë, miqtë tanë ballkanik do të afrohen edhe më shumë”, deklaroi Solana.
Të hënën diplomati evropian viziton Pragën ku me shefin e diplomacisë çeke do të bisedojë për përgatitjet për takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, që do të mbahet më 27 dhe 28 mars, dhe i cili pritet t’i kushtohet thuajse në tërësi Ballkanit Perëndimor./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle
Montazh: Vilma Halilaj