Sonte në mbrëmje, në orën 21:00 do të keni mundësinë të ndiqni “Maratonën e Këngës” në Divjakë. Një tjetër spektakël dhe një tjetër qytet që ofron një pritje emocionuese për “Maratonën e Këngës”.

Surpriza e “Maratonës së Këngës” në mbrëmjen e së mërkurës e kishte emrin Divjakë. Qyteza afër Adriatikut e pranë lagunës së Karavastasë, ishte ndalesa e 12 e turneut më të madh muzikor të kësaj vere.

Banorëve të kësaj zone bujqësore, iu desh të largohen nga fushat me të mbjella më herët se zakonisht, për të zënë një vend në pedonalen e re të qytetit, një hapësirë e dedikuar për qytetarët e kësaj bashkie të vogël.

Tre orë koncert me emra të njohur të muzikës shqiptare. I takoi këngëtarit Petrit Lulo të çelë mbrëmjen për ta mbyllur elbasanasit e grupit Alar Band.

Përveç artistëve, në skenë u ngjit edhe Kryetari i Bashkisë Fredi Kokoneshi, për të falënderuar realizuesit e këtij spektakli, që u jep mundësinë qytetarëve ta shijojnë atë live.

Një koncert që duket sikur nuk kishte fund, pasi publiku i Divjakës nuk rreshti së duartrokituri.

Tv Klan