Armando Broja, vazhdon ta ketë të paqartë të ardhmen e tij. Më shumë mundësi, sulmuesi i Shqipërisë do të largohet nga Chelsea, ndërsa pret të mësojë ekipin e ri.

Për futbollistin kuqezi, interesimet janë të shumta, ashtu siç e pranoi edhe ai vetë në një intervistë në emisionin “Kampionët” në Tv Klan.

Së fundmi, garës për shërbimet e Brojës i është shtuar edhe Southampton. Klubi anglez është në kërkim të një sulmuesi dhe 22-vjeçari është në krye të listës së drejtuesve.

Sipas asaj që raporton “Sky Sport”, klubi i Southampton aktualisht është favorit për të marrë shërbimet e shqiptarit.

Në rast se një transferim realizohet, për Brojën do të ishte një rikthim te Southampton, aty ku kishte shkëlqimin e tij në sezonin 2021-2022, duke shënuar 9 gola.

Chelsea kërkon 35 milionë euro për sulmuesin, por nuk përjashtohet mundësia e uljes së çmimit, për shkak të marrëdhënies shumë të mirë mes dy klubeve. /tvklan.al