Prokuroria e Posaçme mori të pandehur deputetin demokrat Asllan Dogjani, të cilin e akuzon se ka fshehur pagesën e mbi 120 mijë eurove për blerjen e një apartamenti. Dosja ndaj tij do të shqyrtohet nga gjyqtarja e seancës paraprake Rudina Palloj, e caktuar këtë të martë nga shorti elektronik.
Me anë të një komunikimi zyrtar, SPAK thotë se Dogjani nëpërmjet dy kontratave të dubluara fshehu nëpërmjet deklarimit të rremë mënyrën e përfitimit të apartamentit në Tiranë, në rrugën “Hamid Shijaku”. Të dyja deklaratat për mbanin të njëjtin numër protokolli, por kushte të ndryshme të përfitimit të pasurisë.
“Më 24 Mars 2010,ai paraqiti kontratën e datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Brenda një afati 10 ditësh Gjykata e Posaçme duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për gjykimin e deputetit ose jo.
Tv Klan