Marius Lulaj, i njohur edhe me emrin Suel Çela 36 vjeç, konsiderohet nga SPAK si kreu i organizatës kriminale të goditur nëpërmjet një operacioni të nisur të hënën në mëngjes në Shqipëri dhe disa vende të Bashkimit Europian.

Pjesë të kësaj organizate me role respektive, Prokuroria e Posaçme thotë se ishin edhe 17 persona të tjerë.

“Shtetasi Marius Lulaj (alias Suel Çela) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; M.Ç., B.Sh., K.M., Xh.R. etj., ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”, thotë SPAK.

Dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian u dokumentuan nga ky hetim dhe SPAK thotë se me paratë e fituara nga trafiku, organizata ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit.

Mes ngjarjeve të bujshme të zbardhura është tentativa e vrasjes ndaj Ardian Çapjes, në Gusht të 2020, me snajper nga Kodra e Krastës në Elbasan. Ardian Çapja ndodhet në qeli i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të 2012.

Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias.

“Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit, siç ishte Dedan Gjoni dhe të sistemit gjyqësor Pajtime Fetah, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”.

Gjoni dhe Fetahu ndodhen në masën e sigurimit “arrest në burg” për këtë dosje.

SPAK gjithashtu thotë se ka gjetur lidhje të organizatës edhe me median.

“Marius Lulaj ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjtën kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”.

Për këtë episod nën hetim, Prokuroria e Posaçme ka vënë nën hetim dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno.

Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.

Tv Klan