Plaurent Dervishaj bashkë me 5 persona të tjerë, u organizuan sipas SPAK për kryerjen e atentatit në 1 nëntor 2019 ku mbeti i vrarë i riu Andi Maloku, por objektiv ishin prokurori Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi, që mbetën të dy të plagosur. Këtë të martë ata janë dërguar në gjyq, teksa më herët për atentatin u dënuan Redjan Rrajan me burgim të përjetshëm dhe Ariol Halilaj me 35 vite burg.
Por me anë të komunikimeve në SKY, Prokuroria e Posaçme thotë se zbuloi që i njëjti grup me në krye Plaurent Dervishajn, i cili aktualisht ndodhet në Dubai, kishin tentuar në disa raste para 1 nëntorit 2019 të vrisnin Ndojën dhe Muharremin, i njohur si Rrumi. Për këtë ndaj tyre është ngritur edhe akuza e sigurimit të kushteve për vrasje.
Referuar njoftimit të SPAK, pas dështimit në 1 nëntor, ata kanë tentuar sërish të kryejnë ekzekutimin e prokurorit dhe Pëllumb Muharremit, por këtë hërë në objektiv ishin futur edhe shtetasit Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku, babai i të riut që u vra në 1 nëntor 2019, si dhe Arben Mërkuri (Maneci). Ky i fundit u vra në një atentat në Durrës kohë më pas.
Në të njëjtën dosje, SPAK thotë se ka identifikuar si autor të shpërthimit me tritol në një hotel në Tiranë në pronësi të shtetasit Ervin Mata, Ramazan Rrajën, Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn.
Si dhe janë dokumentuar edhe përpjekjet 5 mujore të të pandehurit tjetër Genti Nderjaku për vrasjen e juristit Mitri Prifti. Hetimet gjithashtu treguan se ata ishin përfshirë në vjedhje armëmbajtje pa leje duke bashkëpunuar si grup kriminal.
Tv Klan