Prokuroria e Posaçme mori në pyetje për afro 3 orë ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, i arrestuar disa javë më parë. Ai u shoqërua nga paraburgimi dhe u pyet mbi detajet e hetimit të dala nga komunikimet në aplikacionin “Sky”.

SPAK kërkoi shpjegime nga ish-deputeti mbi njohjet me personazhe të botës së krimit që sipas saj ka komunikuar duke dekonspiruar operacione të policisë dhe përfitimet që lidhën me mbështjem me vota në zgjedhjet e 2021-shit.

Çyrbja mësohet të ketë mohuar akuzat e SPAK, duke pretenduar para hetuesve se ai nuk ka pasur në përdorim “Sky Ecc”. Ish-deputeti është në hetim për akuzat e shpërdorimit të detyrës, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion zgjedhor.

Nga ana tjetër, SPAK vijon hetimet për të zbuluar zyrtarët që i kanë dhënë informacione Çyrbjes për operacionet e policisë në zonën ku ai ishte deputet. Jurgis Çyrbja gjithashtu është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për një hetim tjetër ku dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në kohën kur drejtonte Kadastrën e Durrësit në trajtimin e disa pronave.

Tv Klan