Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurisë së 5 shqiptarëve që po hetohen në Holandë, për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.
Autoritetet holandeze, kanë vënë nën hetim shtetasit, Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe një person me emrin Jorgo.
Sakaq Ilirjan Memia, i cili dyshohet si kreu i kësaj organizate, rezulton i arrestuar në Holandë në vitin 2017 me 97 kg kokainë, ndërkohë që është vendosur sekuestro për disa pasuri. Hetuesit kanë dyshime se këta, persona kanë transferuar në Shqipëri disa pasuri në mënyrë të paligjshme, duke kryer investime të ndryshme.
Për këtë SPAK i ka kërkuar gjykatës së posaçme sekuestrimin e tre automjeteve, një apartamenti dhe një garazhi në kryeqytet, vlera e të cilave shkon në 135 mijë euro.
Tv Klan