Prokuroria ka zbardhur akuzat që rëndojnë ndaj Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Në njoftimin për shtyp, SPAK rendit rastet ku dyshohet se ata janë përfshirë në paligjshmëri.

Episodi i parë ka të bëjë me kontratën për arkëtimin e borxheve të prapambetura, të CEZ, që u mblodhën nga kompania DIA, e Kastriot Ismailajt.

SPAK thotë se në kohën kur mbante postin e minisitrit të Ekonomisë, Ilir Meta, ka ndikuar drejt përdrejtë në procesin e zgjedhjes së kompanisë DIA-s, për të mbledhur borxhet dhe se ka fituar para rryshfet.

“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Isamialj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve.”

Në një tjetër episod përfshihen në paligjshmëri Meta dhe Kryemadhi për kontratën e fibrave optike. Ilir Meta ka qenë në detyrë si kryetar Kuvendi ndërsa Kryemadhi deputete. SPAK thotë se dy bashkëshortët kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje.

“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.”

SPAK thotë se Pirro Xhixha ka shfrytëzuar autoritetin si Kryetari i AKEP dhe në zbatimi të porosive të marra nga Meta e Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes.

Një tjetër episod është dhe kontrata e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimi rezulton se një pjesë shuma prej 463 mijë USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik dhe se nuk është pasqyruar në bilancet të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. 

SPAK përveç Metës dhe Kryemadhit përmend edhe mamanë e kësaj të fundit. Prokuroria thotë në njoftim se këta tre persona janë pronarë të një apartamenti dupleks në zonën e Bllokut, në Tiranë. Kjo banesë ka kushtuar 645 mijë Euro. Një pjesë e tyre është paguar kesh nga nëna e Monika Kryemadhit në sistemin bankar, ndërsa pjesa tjetër është marrë kredi dhe është shlyer prej saj.

“Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.”  

Gjithashtu SPAK deklaron se Kryemadhi dhe Meta nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë Euro. Nga këto shpenzime, rreth 87 mijë Euro janë paguar në cash.

Klan News