Inez Hajrulla u vendos në shënjestër për t’u ekzekutuar nga bandat kriminale për shkak të kontrollit të territorit të lojërave të fatit. Në këtë përfundim kanë dalë hetimet e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me atentatin mafioz që do i bëhej Hajrullës në gusht të vitit të shkuar. Bashkë me Hajrullën u tentua të vritej edhe Ervis Matodashaj. Për këtë tentativë vrasje SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur Leonard Luzi i njohur edhe me mbiemrat Zejno dhe Sejno, Amarildo Nikolli i njohur gjithashtu me mbiemrin Xhanej, Muharem Koroveshi i njohur gjithashtu me dy identitetet e tjera Muharem Ismaili ose Muharem Myftaraj si dhe dhe Erio Zejno.
Sipas njoftimit të SPAK vrasja e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullës është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit ku janë zbërthyer edhe rolet e secilit prej të akuzuarve.
Referuar dosjes mësohet se Leonard Luzi është kushëri i Erigert Zejno, ky i fundit i vrarë në vitin 2013 në Vlorë. Hetimet provuan se Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të ekzekutuar Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullën.
SPAK shton se Luzi krijoi një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë Amarildo Nikolli, i cili kishte marrë përsipër që të ishte qitësi në këtë atentat. Në grup bënin pjesë edhe Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno të cilët kishin rolin e ndihmësve. Prokuroria e Posaçme sqaron se Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno kanë sjellë armët në banesën e Amarildo Nikollit në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen dhe lokalizimin e personave që do të vriteshin.
Vrasja e Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullës nuk u krye pasi ekzekutorët u ndaluan nga policia në zonën e njohur si Uji i Ftohtë në Vlorë ku gjatë kontrollit fizik u gjetën një pistoletë me silenciator, karikator të mbushur me 14 fishekë si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Ditën që u ndaluan nga policia Amarildo Nikolli kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur nga Leonard Luzi. Ata akuzohen për sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, armëmbjatje pa leje, grup i strukturuar kriminal etj.
Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbuluar edhe persona të tjerë që dyshohet se janë pjesë e këtij grupi kriminal në qytetin e Vlorës.
Klan News