Në dekadat e fundit përfaqësuesja e Spanjës kryesisht ka pasur në përbërjen e saj “bllokun” e Real Madridit dhe atë të Barcelonës.

Në europianin e fituar nga Spanja më 2008, përveç Realit dhe Barcelonës, ishin ekipe si Valencia dhe Villarreal që kishin një numër të madh lojtarësh tek La Roja.

Në finalen e Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, kundër Holandës, dy klubet e mëdha kishin dhjetë lojtarë në formacionin fillestar.

Iker Casillas, Sergio Ramos dhe Xabi Alonso të Realit dhe Gerard Pique, Carlos Puyol, Sergio Busquets, Andres Iniesta, Xavi, Pedro dhe David Villa, të sapo transferuar te Barcelona nga Valencia, ishin dhjetë nga 11 titullarët. Vetëm Joan Capdevilla i Villarrealit ishte nën kontratë me një klub tjetër. Madje mediat e Katalonjës shkruanin atëherë se ishte Barcelona që e fitoi Botërorin për La Roja-n

14 vjet më vonë vetëm dy lojtarë, Dani Carvajal i Real Madrid dhe Lamine Yamal i Barcelonës, janë paraqitur nga dy klubet e mëdha në formacionin e Spanjës në finalen kundër Anglisë.

Këtë herë ishin baskët ata që patën dominimin në ekipin e Luis de la Fuente. Real Madrid dhe Barcelona kanë blerë lojtarë të huaj për shuma të mëdha parash vitet e fundit dhe kështu kanë lënë disi në hije të rinjtë e dalë nga akademitë e tyre të futbollit. Athletic Bilbao dhe Real Sociedad janë mbështetur  vazhdimisht te lojtarët vendas dhe kanë qenë të suksesshëm.

Athletic Bilbao, një nga tre klubet bashkë me Realin dhe Barcelonën që nuk kanë rënë kurrë nga La Liga,  prej shumë kohësh luante vetëm me lojtarë baskë, nga Spanja dhe nga Franca. Kjo i jepte mundësi të rinjve baskë të afirmoheshin në futbollin spanjoll dhe atë europian.  Po të shikosh përbërjen e skuadrës së Bilbaos sot, janë vetëm lojtarë spanjollë.

Athletic Bilbao, ka ofruar dy titullarë të La Roja-s, portierin Unai Simon dhe sulmuesin anësor Nico Williams.

Aymeric Laporte, që luan prej një viti në Arabinë Saudite, vjen gjithashtu nga klubi që përfundoi i pesti sezonin e kaluar.

Robin Le Normand ishte i vetmi lojtar i Sociedadit që nisi si titullar në finale. Por Martin Zubimendi, Mikel Oyarzabal dhe Mikel Merino u aktivizuan si zëvendësues dhe ndihmuan në fitore. Oyarzabal madje shënoi golin e fitores.

Edhe duke përjashtuar klubet baske, varësia e Spanjës nga lojtarët e Real Madridit dhe Barcelonës është zbehur. Lojtari më i rëndësishëm i Spanjës për momentin është Rodri i Manchester City-t. Kapiteni Alvaro Morata luan për Atletico Madrid. Fabian Ruiz i PSG-së shkëlqeu në Evropë, ashtu si edhe Dani Olmo i RB Leipzig. Por 26-vjeçari Olmo ka nisur si fëmijë të luajë futboll në Katalonjë,  tek Espanyol. Më pas tek akademia e Barcelonë për 7 vite deri sa u transferua tek Dinamo e Zagrebit për të nisur karrierën si profesionist më 2014.

/tvklan.al