Ashtu siç u njoftua në media gjatë ditës së hënë, Topi i Artë u fitua nga Rodri, mesfushori mbrojtës i kombëtares së Spanjës dhe Manchester City.
Rodri është votuar për lojën e tij në ekipin anglez si dhe në shërbimin që bëri për kombëtaren gjatë finaleve të Europianit që u luajt në Gjermani.
Pak ditë më parë në mediat botërore qarkulloi lajmi se Topi i Artë do të shkonte për Vinicius dhe Real Madrid u përgatit seriozisht për këtë trofe.
Por mesditën e së hënës, drejtuesit mësuan se braziliani nuk ishte votuar si më i miri në botë për vitin 2024. Kështu që delegacioni i përbërë prej më shumë se 50 personash bojkotoi ceremoninë e mbajtur në Paris.
Në fakt edhe pse u vlerësua si trajneri më i mirë i vitit për fitoren e Champions League, Carlo Ancelotti nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Real Madrid u shpall edhe si skuadra me e mirë e vitit.
Futbollistja që u vlerësua me këtë trofe ishte sërish nga kombëtarja e Spanjës, për të dytin vit radhazi trofeu shkoi për Aitana Bonmati.
Trofeu Kopa për të rinjtë nën 21 vjeç shkoi për Lamine Yamal për paraqitjen e shkëlqyer në Europian dhe me Barcelonën.
Tv Klan