“Topi i Artë 2024” e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe që transmetohet në Tv Klan vlerëson më të mirët e futbollit shqiptar. Ceremonia mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, e drejtuar nga Ardit Gjebrea dhe Almeda Abazi. Spektakli u kushtohet arritjeve të futbollit shqiptar dhe suksesit të ekipit kombëtar në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Në këtë ceremoni, 9 çmime prestigjioze do të ndahen për të nderuar lojtarët/lojtaret më të mirë dhe më të spikatur të vitit 2024:
“Topi i Artë” 2024 djem
“Topi i Artë” 2024 vajza
“Këpuca e Artë” djem
“Këpuca e Artë” vajza
“Arbitri i Vitit”
“Trajneri i Vitit”
“Talenti i Vitit” vajza
“Talenti i Vitit” djem
“Formacioni i Vitit”
11-shja më e mirë e futbollit shqiptar është përzgjedhur nga gazetarët sportivë vendas përmes një procesi elektronik të mbyllur, duke garantuar transparencë dhe profesionalizëm.

“Ndërtimi i 5 stadiumeve të reja”, Duka tregon projektet në futboll për vitin 2025

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka hapur ceremoninë e “Topit të Artë 2024”. Gjatë fjalës së tij, Duka është shprehur se gjatë këtij viti, do të vazhdojnë projektet për ndërtimin e 5 stadiumeve të reja.

Armand Duka: Për t’i dhënë falenderimet e mia të gjithëve që jeni këtu dhe të gjithë ata që na ndjekin nëpërmjet Tv Klan. Shpreh mirënjohjen për 27 mijë anëtarë të përkushtuar në aktivitetin futbollistik gjatë këtij viti historik. Ju uroj mirëseardhjen fëmijëve që janë regjistruar për herë të parë në futboll gjatë këtij viti. I garantoj se mes nesh do të gjejnë përkujdesjen maksimale për të ndjekur pasionin e tyre.

Ftoj prindërit që të sjellin fëmijët në futboll. Mjafton pasioni dhe dëshira e tyre, Federata do të sigurojë çdo gjë falas për ta. 17 fusha futbolli janë shtuar këtë vit, 2 stadiume janë rikonstruktuar, por përsëri është pak. Në bashkëpunim me qeverinë, do të vazhdojmë projektet për ndërtimin e 5 stadiumeve të reja, në Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Kavajë. Faleminderit që besuan në projektet tona duke iu dhënë shpresë të rinjve që ëndërrojnë një të ardhme në sport.

Më tej, Duka është shprehur se më 31 Mars do të hidhet shorti dhe më 19 Maj do të mbahet në arenën kombëtare ndeshja e Kampionatit Evropian për 17-vjeçarët, për të cilën UEFA i ka besuar FSHF-së.

Armand Duka: UEFA na ka besuar organizimin e Kampionatit Evropian për 17-vjeçarët. Më 31 Mars fillon shorti dhe hap siparin me ndeshjen e parë në arenën kombëtare në 19 Maj. Do të jetë një kampionat model. Ju ftoj ta mbështesim skuadrën tonë. Ne mezi presim të mësojmë vendimin për kandidaturën tonë për të qenë 1 nga 2 vendet mikëpritëse për Kampionatin Evropian 2027 për 21-vjeçarët. Mezi presim të mësojmë vendimin për të qenë që do të merret nga Komiteti më 4 Shkurt. Të sigurojmë që Shqipëria të presë turne prestigjiozë si ky për trashëgimi të qëndrueshme.

Do ju mbështesim ju djem dhe vajza në ekipet kombëtare duke ëndërruar në një tjetër destinacion. Asgjë e bukur nuk vjen pa shumë punë dhe përkushtim. Falenderoj tifozët e ekipeve tona kombëtare. Falenderoj të gjithë fituesit e sotëm, ju jeni zgjedhur si më të mirët dhe ky vlerësim, dëshmi e përkushtimit tuaj. Model frymëzimi, shembuj që tregojnë se çdo gjë e mundur. Këtë vit, të ecim më përpara, më të bashkuar dhe më me shumë pasion për atë që duam.

Ceremonia “Topi i Artë 2025” po transmetohet direkt në ekranin e Televizionit Klan.

Bekim Balaj fiton “Këpucën e Artë”

Bekim Balaj është fituesi i “Këpucës së Artë” në Shqipëri. Me 18 gola të shënuar në sezonin 2023-2024, sulmuesi shkodran ishte lojtari me më shumë gola të shënuar në 38 ndeshje.

Çmimi prestigjioz, sulmuesit shkodran iu dorëzua nga legjenda Sulejman Demollari. Balaj është kandidat edhe për “Topin e Artë” në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Balaj u shfaq shumë i lumtur për këtë çmim të marrë.

“Kam nderin që këtë trofe ta marr nga një figurë e nderuar e futbolli si Sulejman Dmeollari. Këpuca e Artë është një trofe i rëndësishëm për sulmuesit, sepse ne vlerësohemi për golat. Pa ndihmën e shokëve të skuadrës do të ishte e pamundur ta merrja këtë çmim”, tha Balaj.

Juxhin Xhaja vlerësohet si “Arbitri më i mirë”: Ndihem i motivuar për të ardhmen

Në kategorinë e “Arbitrit më të mirë” në ceremoninë e “Topit të Artë 2024” në Tv Klan u renditën 4 nominime.

Juxhin Xhaja

Enea Jorgji

Eldorjan Hamiti

Kreshnik Cjapi

Për të zbuluar emrin e fituesit, në skenë u ngjit Hyqmet Kuka, një nga emrat elitë të arbtrimit shqiptar. Ai e nisi arbitrimin në fillim të viteve ’70, ka qenë drejtues i shumë sfidave derbi për 15 vite, i përballjeve legjendare të kohës, arbitër i FIFA-s nga viti 1980-1987. Karrierën e mbylli më 1989.

Çmimi për “Arbitrin më të mirë” shkoi për Juxhin Xhajën i cili është arbitër i FIFA-s që nga viti 2018. Ka gjykuar mbi 150 ndeshje në kampionatin shqiptar dhe 40 ndeshje në kompeticionet e UEFA-s. Gjatë vitit 2024 ka arbitruar 6 ndeshje europiane në kompeticionet si Europa League, Conference League e Nations League.

Juxhin Xhaja: Mirëmbrëma! Ndihem i vlerësuar dhe i motivuar për të ardhmen me marrjen e këtij çmimi. Dua ta falenderoj ekipin tim të arbitrave me të cilët gjykoj si brenda, edhe jashtë vendit. Gjithashtu falenderoj Komitetin e Arbitrimit për punën e bërë gjatë kësaj kohe. Së fundmi, falenderoj familjen time që është një motiv imi.

“Teze goli”, zgjidhet talentja më e mirë e vitit në Shqipëri

Çmimi “Talentja e Vitit 2024 vajza” u fitua nga Xhesika Ndoj. Futbollistja e Apolonisë, ishte një nga më të spikaturat gjatë vitit.

Pas votimeve nga trajnerët e moshave, për vajza dhe djem, shumica e votave shkuan për 17-vjeçaren.

E ka nisur karrierën tek Apolonia, duke spikatur te moshat dhe më pas tek ekipi i parë. Kapitene e Kombëtares U-19, ku ka udhëhequr vajzat drejt fitoreve të rëndësishme.

Pas fitimit të çmimit, Ndoji u shfaq shumë e lumtur, ndërsa zbuloi se është bërë teze dhe nipi me mbesën e thërrasin: “Teze goli”.

Jam shumë e emocionuar për këtë çmim. Falenderoj ekipin tim Apolonia dhe familjen që më ka mbështetur deri sot. Jam bërë teze. Nipi dhe mbesa më thërrasin: ‘Teze goli‘”, tha ajo.

Përveç Xhesika Ndoj, kandidate për çmimin e talentes më të mirë të vitit ishin Angela Nikaj, Klesta Ago dhe Herta Hasa

Sulmuesi i “Skëndërbeut”, Ermir Rashica fiton çmimin “Talenti i 2024-ës”

Çmimi “Talenti i Vitit 2024 djem” u fitua nga Ermir Rashica. Pas marrjes së çmimit, Rashica ka thënë se ja dedikon familjes dhe klubit “Skëndërbeu” arritjen e tij në futboll.

“Falenderoj shumë për çmimin e “Talentit të Vitit”, ndihem shumë i vlerësuar dhe dua të ja dedikoj familjes time dhe klubit tim Skëndërbeu”, u shpreh Rashica.

Sulmuesi nga Mitrovica e Kosovës u bashkua me Skëndërbeun në Gusht të vitit 2023. Ai zhvilloi 40 ndeshje në kampionat. Rashica shënoi 13 gola gjatë 2024. Ai spikat për teknikën, shpejtësinë, driblimet dhe instinktin e golashënuesit.

Në një ceremoni madhështore po dorëzohen çmimet për më të mirët e futbollit shqiptar gjatë vitit 2024. Spektakli më i madh i futbollit shqiptar mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe transmetohet direkt në Televizionin Klan.

Dominon Egnatia, zbulohet formacioni i vitit në Shqipëri

Në ceremoninë “Topi i Artë 2024”, u zbulua formacioni më i mirë i vitit në Shqipëri.

Bie në sy dominimi nga Egnatia, me plot gjashtë futbollistë nga sezoni i kaluar në Abissnet Superiore.

Për të shpallur emrat e fituesve u zgjodh Sulejman Mema, ish-trajneri i njohur shqiptar. Mema lexoi emrat e fituesve të përcaktuar sipas votimit të bërë nga gazetarët e emisioneve sportive në televizionet shqiptare.

Në portë është Alen Sherri, në të majtë të mbrojtës Edison Ndreca, në të djathtë Arsid Kruja, ndërsa dyshja e mbrojtjes përbëhet nga Arbenit Xhemajli dhe Renato Malota.

Në treshen e mesfushës, janë Arbin Zejnullai, Albano Aleksi dhe Arinaldo Rrapaj.

Në treshen e sulmit, Bekim Balaj në qendër, dhe Ermir Rashica e Baton Zabërgja nga krahët.

FORMACIONI I VITIT:

Alen Sherri; Edison Ndreca, Arbenit Xhemajli, Renato Malota, Arsid Kruja; Arbin Zejnullai, Albano Aleksi, Arinaldo Rrapaj; Baton Zabërgja, Bekim Balaj, Ermir Rashica.

Berat Gjimshiti triumfon si “Lojtari më i mirë”, nëna e tij ngre trofeun

Një kategori  i është shtuar edicionit të tretë të ceremonisë “Topi i Artë 2024” në Tv Klan. Ai vlerëson futbollistin më të mirë të Kombëtares dhe përfshin të gjithë lojtarët e saj. Risia është që këtë vit është implementuar i njëjti sistem votimi si në “Këngën Magjike 2024”.

Secili nga lojtarët e Kombëtares përmes një videoje ka nominuar “Lojtarin e Vitit”.

Me 14 vota nga kolegët, fituesi është kapiteni Berat Gjimshiti.

Ai nuk ndodhet i pranishëm për shkak të ndeshjes që e pret të mërkurën, ndaj për të marrë trofeun vjen nëna e tij, Sevime Gjimshiti.

Për t’ia dorëzuar çmimin, erdhi vetë trajneri i Kombëtares kuq e zi, Sylvinho.

Sylvinho: Përshëndetje! Mirëmbrëma! Është një kënaqësi shumë e madhe të jem këtu përsëri, në një mbrëmje shumë të bukura që flitet për futbollin e mrekullueshëm, ju falenderoj që jam këtu mes jush! Dua  t’u bëj komplimente të gjithë futbollistëve dhe trajnerëve që bëjnë një sforco shumë të madhe për këtë sport. Faleminderit të gjithëve! Është një kënaqësi shumë e madhe që të jem këtu!

Sevime Gjimshiti: Faleminderit shumë për këtë dhuratë shumë të çmueshme që ia keni besuar Berat Gjimshitit! Më vjen keq që nuk gjendet këtu. Na ka dërguar ne prindërve që të jemi këtu për këtë dhuratë kaq të çmueshme, për këtë çmim kaq të madh.

Edlir Tetova zgjidhet “Trajneri i Vitit 2024”: Falenderoj çunat e skuadrës, pa ju nuk do isha sonte këtu

Edlir Tetova është zgjedhur “Trajneri i Vitit 2024”. Trajneri i Egnatias bëri historinë duke plotësuar tripletën me Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Ai ka drejtuar edhe skuadrat e Lushnjes dhe Ulpiana si dhe ka qenë zv.trajner tek Skënderbeu, Kukësi dhe Tirana.

Trajneri ndër të tjera ka falenderuar edhe çunat e skuadrës, duke ju thënë që pa ta ai nuk do të fitonte këtë çmim sonte.

Edlir Tetova: Një falenderim shumë i madh shkon për Presidentin e Ferderatës për këtë super event sonte gjithashtu edhe për klubim tim aktual Egnatia. Faleminderit që më dhatë këtë mundësi për të qenë më i miri i vitit 2024. Një falenderim shumë i madh shkon për çunat e mi të palodhur. Pa ju nuk do të isha këtu sot.

Të nominuar për çmimin “Trajneri i Vitit 2024” ishin Edlir Tetova, Orges Shehi, Ivan Gvozdenovic, Ilir Daja. Në një ceremoni madhështore po dorëzohen çmimet për më të mirët e futbollit shqiptar gjatë vitit 2024. Spektakli më i madh i futbollit shqiptar mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe transmetohet direkt në Televizionin Klan.

Silvinjo siç nuk e keni parë kurrë, zbulon talentin e fshehur. Surprizohet nga vajza në skenë…

Jemi mësuar ta shohim gjithnjë të dhurojë spektakël në fushë si lojtar, por edhe si trajner. Megjithatë, duket se trajneri i Kombëtares, Silvinjo ka edhe një tjetër talent të fshehur.

Në ceremoninë “Topi i Artë 2024”, tekniku brazilian u surprizua nga vajza e tij, Tati, e cila bashkë me babin e saj, performuan për të pranishmit këngën e njohur “My Way”.

Me një performancë të shkëlqyer, Silvinjo mori duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve së bashku me vajzën e tij.

Një moment special për trajnerin dhe vajzën e tij, i cili do të mbetet gjatë në memorjen e tyre. 

Ylber Ramadani përzgjidhet si “Zemra kuqezi”, kryeministri Rama i dorëzon trofeun

“Zemër kuqezi” është çmimi i dedikuar në ceremoninë e “Topit të Artë 2024” që transmetohet në Tv Klan për futbollistin që ka simbolizuar shpirtin e skuadrës në fushë. Çmimi është përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares dhe nderon shpirtin e jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.

Ky trofe shkoi për Ylber Ramadanin, të cilit iu dorëzua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe tifozi i Kombëtares, Besmir Limani, i njohur ndryshe si “Fytyra me Shqiponjë”.

Edi Rama: Mirëmbrëma! As me mik nuk do të kisha këtë fat sepse realisht kam një simpati dhe respekt të  jashtëzakonshëm për personin që do të lexoj tani, sepse vërtet edhe në fushë si zemra e skuadrës, Ylber Ramadani!

Ylber Ramadani: Mirëmbrëma të gjithëve! Mirëmbrëma z. kryeministër! Mirëmbrëma z.president! Mirëmbrëma trajnerit tim dhe mirëmbrëma të gjithëve këtu në sallë! Jam i nderuar dhe i  privilegjuar që e marr këtë çmim. Ju falenderoj shumë dhe premtoj se do të bëj akoma më shumë që të shkojë përpara gjithë Shqipëria.

Bekim Balaj zgjidhet fitues i “Topit të Artë 2024” në Shqipëri

Bekim Balaj është fituesi i “Topit të Artë 2024” në Shqipëri. Sulmuesi i Vllaznisë, mposhti konkurrencën e Arinaldo Rrapajt, Ermir Rashicës dhe Albano Aleksit, të cilët gjithashtu ishin të nominuar për çmimin prestigjioz.  

Trofeu i “Topit të Artë” u dorëzua nga presidenti i FSHF, Armand Duka. Një vlerësim i rëndësishëm për ish-sulmuesin e Kombëtares, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në Abissnet Superiore.

Balaj shënoi gola të rëndësishëm dhe me skuadrën e Vllaznisë, e cila luftoi deri në fund për titullin kampion, duke arritur në “Final Four”.

Në sezonin e kaluar, në 38 ndeshje të luajtura, Balaj shënoi 18 gola. Më herët, sulmuesi fitoi edhe çmimin e “Këpucës së Artë”.

Edhe në sezonin aktual Bekim Balaj vazhdon të kryesojë renditjen e golashënuesve në kampionat me 13 gola. 

Kapitenia e Vllaznisë, Ezmiralda Franja fiton “Topin e Artë”: I realizova ëndrrën mamit

“Topi i Artë për Vajza” është fituar nga kapitenia e Vllaznisë, Ezmiralda Franja. Në momentin e marrjes së çmimit, Franja është shprehur se nuk ka menduar se do të arrinte kaq larg në karrierë.

Arritjen e saj në futboll ja ka dedikuar familjes së saj dhe veçanërisht nënës, e cila e kishte ëndërr që të bëhej futbolliste por që nuk iu bë e mundur.

Ezmiralda Franja: Në momentin kur vendosa të merresha me futboll nuk e kam menduar se do të arrija kaq larg dhe prandaj jam sot shumë e lumtur. Falenderoj Presidentin e ekipit, Lazer Matija, stafin teknik, gjithashtu edhe shoqet e ekipit që kanë bashkëpunuar që unë ta fitoj këtë trofe. Këtë trofe ja dedikoj familjes time, veçanërisht mamit tim që nuk arriti kurrë të bëhej futbolliste, por unë ja realizova ëndrrën e saj.

Franja është modeli i përkushtimit dhe suksesit në futbollin shqiptar për vajza. Kapitene e Vllaznisë, ajo ka zhvilluar 363 ndeshje dhe ka shënuar 114 gola në karrierën e saj. Me Kombëtaren Shqiptare ka luajtur 56 ndeshje dhe ka qenë pjesëmarrëse në Champions League për Femra.

/tvklan.al