Edhe pse ka muaj që është pjesë e organizimit të ceremonisë së “Topit të Artë”, Armand Duka pret me kuriozitet ceremoninë ku do të vlerësohen më të mirët e futbollit shqiptar.
“Kam parë detajet e organizimit, kam parë punën voluminoze që është bërë për këtë organizim dhe pikërisht për këtë mezi pres të shoh rezultatet e kësaj pune që ka filluar më parë se sa Viti i Ri.”
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kjo ceremoni është quajtur ”Topi i Artë i Shqipërisë”, dhe do të vijojë kështu për të krijuar një traditë.
“Organizimi i kësaj ceremonie është shumë ndryshe nga më parë, në nivel më të detajuar, më të kuruar. I drejtuar nga një prej moderatorëve më të mirë në Shqipëri ose më i miri, Ardit Gjebrea. Me të ftuar të botës së futbollit dhe jo vetëm, pra do të jetë një spektakël shumë i mirë. Një ndërthurje e sportit me artin.”
Të ftuarit, do të jenë personazhe nga më të spikaturit të jetës sportive, artistike dhe politike në vend. Por jo vetëm kaq, ata do të vijnë edhe nga vende të ndryshme të botës.
“Do të kemi Ana Oxën si këngëtare, jo vetëm si këngëtare famoze, por që ka lidhje shpirtërore me ne. Gjë që na nderon akoma më shumë. Nga bota e futbollit do të jenë të gjitha personalitetet apo VIP-at e futbollit shqiptar, bota diplomatike…”
Ceremonia e “Topit të Artë” është një ngjarje që do të transmetohet live në Tv Klan sonte në orën 20:00.
Tv Klan