Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Të akuzuarit e 14 Shtatorit që tashmë kanë hyrë në ditën e 8 të grevës së urisë në burgun e Tiranës mbahen padrejtësisht në arrest. Kështu kanë deklaruar avokati Spartak Ngjela dhe avokati i çështjes Arben Ristani, të cilët kanë protestuar sot në një konferencë për shtyp ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës duke e cilësuar atë të paligjshëm.

Sipas avokatëve afati i paraburgimit për të pandehurit është 6 muaj nga dita e dorëzimeve të akteve në gjykatë. Shkaqet e ketij vendimi Ngjela i lidh me politikën e ditës.

Avokat Spartak Ngjela:- “Politika po dhunon gjykatën. E para cilat janë argumentat? Sepse është thënë që ky 15 ditësh që vuajn këta të pandehur na qenka krijuar për të mos prishur atmosferën e Kongresit të PS. Atëhere po të jetë kështu është shumë e rëndë”.

Ndersa Ristani shprehet se në qoftë se të akuzuarit e 14 Shtatorit do të dilnin nga burgu do të shtoheshin akuza ndaj qeveritarëve të sotëm për bashkëpunim në këto ngjarje. Ndërkohë për Ngjelën e vetmja rrugëzgjidhje është sensibilizimi i opinionit publik, i cili duhet të detyroj pushtetin ligjor të respektoj procedurat.

Po sot liderët e grupimit Bashkimi për Demokraci, pasi kanë shkuar për të parë gjendjen e grevistëve në spitalin e burgut, kanë kërkuar lirimin e të burgosurve të 14 Shtatorit, si dhe kanë rikërkuar që OSBE të ndikojë me autoritetin e saj./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego