Progres dhe probleme, është ky vlerësimi qe ambasadori gjerman, Bernd Borchardt u bën zgjedhjeve ne Shqipëri bazuar dhe ne raportin përfundimtar te vëzhguesve te OSBE-ODIHR.
Borchard sjell ne vëmendje atë pjese te raportit ku flitet mbi procesin e numërimit te votave apo dhe rregullave te zhvillimit te fushatës elektorale.
Bernd Borchardt: “Raporti ka treguar progresin e bërë, por edhe problemet e mbetura pa zgjidhje. Ka treguar që Shqipëria ende nuk i ka përmbushur të gjitha standardet. Me raportin përfundimtar të ODHIR-it procesi zgjedhor në Shqipëri dhe vlerësimi i tij quhet i përfunduar. Tani është e rëndësishme të shihet përpara dhe të zgjidhen problemet e përmendura në raportin e ODHIR-it në lidhje me ligjin mbi zgjedhjet dhe organizimin e tyre, që sikurse e ka formuluar edhe ODHIR-i, kanë zbehur progresin. Si vend anëtar i Bashkimit Evropian edhe partnerët tanë i kemi vënë theksin veçanërisht politizimit, për shembull nëpërmjet procesit të numërimit, por edhe shkeljeve të rekomandimeve të OSBE-së që Shqipëria ka marrë përsipër të realizojë në mënyrë të veçantë gjatë fushatës elektorale. Unë e konsideroj si veçanërisht të rëndësishme që procesi i numërimit të votave të optimizohet në një mënyrë të tillë që vëzhguesit e zgjedhjeve të ardhshme të mos duan të konstatojnë sërish që në 1/3 e qendrave të numërimit të votave procesi është kryer keq ose shumë keq dhe që duhet të përcaktohen rregulla më të mira për zhvillimin e fushatës elektorale”.
Por ambasadori gjerman sugjeron një zgjidhje ne kuvend te problematikes qe lidhet me zgjedhjet.
Borchardt u kujton partive politike qe krahas ndryshimeve ne ligjin e zgjedhjeve nevojitet shumice e cilësuar edhe për reformën ne drejtësi.
Bernd Borchardt: “Ne së bashku me partnerët tanë të Bashkimit Evropian u kemi rekomanduar partive politike në Shqipëri një dialog politik konstruktiv. Vetëm kështu mund të zgjidhen problemet e identifikuara nga ODHIR. Për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve nevojitet shumica e cilësuar në parlament. Kjo vlen edhe për fusha të tjera të rëndësishme, në të cilat Bashkimi Evropian pret reforma të mëtejshme nga Shqipëria si për shembull reformat në drejtësi”.
Borchardt bën një vlerësim të kushteve të vendosura nga opozita për pjesëmarrjen në kuvend si dhe qëndrimin e mazhorancës në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha i ka cilësuar të paligjshme disa nga kushtet e opozitës siç është ai për rinumërimin e kutive për disa zona zgjedhore.
Berisha ka theksuar se partitë politike nuk mund të marrin rolin e gjykatësit në kushtet kur mbi procesin kanë thënë fjalën e tyre si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ashtu edhe kolegji zgjedhor.
Bernd Borchardt: “Në deklaratën e kryeministrit Berisha sikurse e njoh unë ai ka thënë se nuk do mund të pranojë asnjë kërkesë të opozitës që është në kundërshtim me ligjin. Kjo është normale, por nuk do të thotë që të gjitha kërkesat e opozitës janë në kundërshtim me ligjin. Kështu për shembull kërkesa për të ndryshuar përbërjen e KKRT-së apo të drejtimit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar me siguri nuk është një kërkesë politike antiligjore. Krahas kësaj përputhshmëria me ligjin e lirimit të përkohshëm të përfolur të të burgosurve është duke u verifikuar nga prokuroria nëse iu referohemi artikujve të shtypit. Edhe ky do të ishte një proces normal nëse do të kishte udhëzime të mjaftueshme për një vendimmarrje të gabuar të organeve kompetente.”
Përfundimi i zgjedhjeve dhe publikimi i raportit te OSBE-ODHIR sjell një tjetër zhvillim te rëndësishëm, atë te shqyrtimit te aplikimit te Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë, një qëndrim që diplomati i lartë gjerman e ilustron dhe me mbështetjen financiare në rritje, akorduar vendit tonë.
Viti i fundit ka shënuar një rritje me 100 milion euro të mbështetjes financiare duke e çuar volumin e përgjithshëm në 1 miliard euro.
Në 2009-tën është dyfishuar po ashtu dhe numri i bursave të vendosur në dispozicion të shtetasve shqiptarë.
Bernd Borchardt: “Pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një çështje e rëndësishme strategjike për të dy vendet tona. Gjermania mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi