Konferenca e socialistëve në Korçë ka qenë përballja e radhës midis kryetarit Nano dhe rivalit të tij Rama, e cila është karakterizuar nga tone të qeta.
Edi Rama:- “Është momenti që këtë situatë aspak të këndshme brenda partisë, ta shfrytëzojmë si një shans dhe të kemi kurajën, që të hedhim një hap më tutje në reformimin e partisë, duke institucionalizuar mendimin ndryshe. Legalizimi i mendimit ndryshe dhe njohja e aktit, që një parti e madhe, ku ka rryma të ndryshme, është një parti që garanton më shumë bazë popullore, se sa një parti ku çdo përpjekje për të dalë nga rryma e përgjithshme fillon e duket si një shtrembërim i vijës së partisë, cilido që mendon ndryshe duhet t’i shpjegojë anëtarësisë, çfarë ai mendon ndryshe dhe si ai i mendon punët e partisë dhe duhet të jetë anëtarësia e partisë, e cila t’i japi atij mendimi ose asaj platforme vendin e duhur në konfiguracionin e përgjithshëm”.
Fatos Nano:- “Në datën 12 Dhjetor kushedi sa kongrese bëhen në botë, kështu që dhe ne kushedi sa kongrese të tjera do bëjmë, por jo të gjitha kongreset bëhen njëlloj, duke i thënë Edit të kapërcejmë së bashku paradokset e padurimit, ose mos ta keqkuptojmë as Mejdanin që me platformën e vetë thotë, ai kondidon për një kongres tjetër, prandaj s’po vjen mesa duket,pra ne duhet të arsyetojmë dhe të mirëkuptojmë së bashku, që mënyra më e mirë për të filtruar idetë, modelet, eksperiencat, për të hedhur hapat më tej në reformim dhe në kapje standarde të botës moderne, ku nuk ka shqiptar që s’do të integrohet është lubrifikimi dhe riparimi apo modernizimi i komunikimit dhe i enëve të komunikimit tonë, brenda nesh”.
Megjithatë, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj deklaratave të Nanos, për të ashtuquajturin grup të skraparllinjve që qëndronte pas Kolegjit Zgjedhore. Ai është shprehur, se i duhet dhënë fund praktikave të tilla.
Edi Rama:- “Me këto shkëmbime zjarri midis njëri-tjetri, ne krijojmë idenë që e vetmja gjë që na intereson është asgjësimi politik i njëri-tjetrit dhe harrojmë që popullit shqiptar nuk i intereson farë se cilët janë miqtë e kryetarit të partisë, apo se cilët janë skraparllinjtë që janë futur në një hotel dhe për më tepër, teoria e përdorimit të skraparllinjve apo të tropojanëve, mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë”.
Nano është përqendruar në denoncimin e periudhës së qeverisjes së Ilir Metës dhe në marrëdhëniet e tij me median, që sipas kreut të PS kanë qenë të kompromentuara.
Fatos Nano: “Ilir Meta pasi ka qarkulluar, këtë di ta bëjë mirë, një dizinformacion të qëllimshëm në nivele të dyta apo të treta ambasadash apo zyrash diplomatike të vendeve anëtare të BE-së, apo të organizatave që na monitorojnë, del i pari, biles ka qëlluar që ka dalë edhe para atyre, me fraza që ai do të vrasi Nanon, s’ka gjë me PS fare, nuk do ai që PS të kalojë në opozitë se do të bëhet vetë kryeministër, biles kështu e ka skemën dhe me Mejdanin, që janë ngadalësuar reformat, konferencën e sotme të shtypit e ka dhënë që ne hoqëm drejtoreshën e përgjithshme të doganave për të vërtetuar ato 200 milion dollarët që i mungojnë Ilirit nga 2001, ndërkohë që janë 200 milion dollarë plus që janë arkëtuar dhe gjithë ky diskutim i madh pra, thjeshtëzohet në zgjedhjen, do punojmë me Haxhi Qamilin apo me FMN? Do punojmë me apo pa Bankën Botërore, do punojmë me rregullat dhe standardet e BE apo me iniciativën e lirë të cilitdo, në variantin që Edi e ka formuluar mirë, rrumpalla të Saliut”.
I lutem kryetari të mbyll kapitullin e komunikimit mes bisedash konfidenciale me anëtarë të kryesisë, tha Rama. Nuk dua të mendoj se Nano me këtë ka përgatitur mos votimin këtu të Ben Blushit, si delegatë.
Edi Rama:- “Unë do t’i lutesha kryetarit të partisë, që të mbyll kapitullin e komunikimit me anëtarësinë dhe publikun nëpërmjet bisedash konfidenciale nëpërmjet bisedash pune që zhvillohen në zyrën e tij, në zyrat tona, sepse unë nuk e imagjinoj dot, se çfarë i duhet dje konferencës së Vlorës dhe çfarë i duhej publikut shqiptar një bisedë konfidenciale me Ben Blushin në zyrën e tij dhe nuk dua të mendoj që kryetari i partisë me këtë përgatiti mosvotimin e Ben Blushit këtu si delegatë”.
Fatos Nano:- “Do t’u lutesha të mos abuzonte askush me jetën private të askujt, sepse konfidenca e zyrës së kryeministrit është pjesë e llogaridhënies për anëtarësinë …”/tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini