Në një kohë kur niveli i reshjeve gjatë ditëve të fundit ka tejlakuar çdo parashikim të metereologëve, specialistët e energjetikës thonë se nuk ka vend për panik përsa i përket sigurisë së hidrocentraleve mbi Drin.
Luigj Pjetri, specialist me një përvojë 40–vjeçare në fushën e energjetikës, garanton sigurinë e digave, vepra madhore këto të ndërtuara para viteve ’90, që sipas tij, në projektim janë të llogaritura për një koefiçent të lartë sigurie në mbajtjen e ngarkesës së ujit në 3 kaskadat e Drinit, sikundër i rezistojnë tha ai dhe lëkundjeve sizmike mbi 9 ballë.
“Digat janë të projektuara dhe të ndërtuara me shumë profesionalizëm. Ato janë të llogaritura me koefiçent sigurie për mbajtjen e ngarkesës së ujit deri në 4 miliardë m2 ujë në tre kaskadat e Drinit, por dhe për sizmiologji mbi 9 ballë. Veprat janë të sigurta, por ato duan mirëmenaxhim të situatës që të parandalojnë çdo pasojë dhe të jenë gjithmonë në gatishmëri”, tha specialisti.
Sipas Pjetrit, zbatimi i rregullores së hidrocentraleve i ngarkon drejtuesit e këtyre veprave që të mos tejkalojnë nivelin e ujit. Ndaj, thekson ai, shkarkimi i ujit është një mekanizëm i praktikuar dhe më parë. Por përsa u përket përmbytjeve të shtëpive, Pjetri thotë se në zonat që preken nga këto shkarkime, pushteti lokal nuk duhet të kishte lejuar ndërtimet.
“Që në projektimin e hidrocentraleve, ku dhe unë jam bashkëautor, janë marrë parasysh dhe janë bërë shpronësimet e të gjitha zonave nën diga, me qëllim që për çdo pasojë ato të jenë zona të zbrazëta. Por fatkeqësisht ato zona nuk janë mbajtur të virgjëra sipas projekteve. Pushteti vendor dhe urbanistika ka detyrë për të kontrolluar dhe për të thënë se përse i ka lejuar ato ndërtime. Pasi në projektet e këtyre veprave puna e parë ka qenë shpronësimet, lirimi i zonave në qoftë se do të ketë probleme të tilla për t’u hapur digat”, shpjegoi ai.
Për Pjetrin, administrimi i kaskadës së Drinit është tepër i rëndësishëm dhe delikat dhe kërkon angazhimin e të gjitha strukturave e specialsitëve më të njohur në fushën e energjetikës.
Tv Klan