Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik konfirmojnë se në Poliçan kemi të bëjmë me shpërthim epidemie.
Prej tre ditësh në këtë qytet janë paraqitur për ndihmë mjekësore mbi 50 persona, të cilët kishin temperaturë të lartë, të vjella dhe gjendje të pafuqishme trupore.
Numri i madh i të sëmurëve ka alarmuar strukturat shëndetësore e për pasojë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë shkuar në vendngjarje për të analizuar situatën dhe gjetur shkaktarët.
Dritan Ulqinaku: “Shkaktari ndoshta mund të jetë tek uji i pijshëm, pra tek ujësjellësi i Poliçanit, por mund të themi që me një përqindje të lartë bëhet fjalë për një infeksion bakterial. Nëse nuk merren masa në çdo rreth, në çdo ujësjellës, nëse si të thuash qytetarët nuk janë të ndërgjegjësuar që duhet të mbajnë të lartë normat higjienike personale padiskutim që rrezikohemi”.
Analizat për të vërtetuar shkaktarin e kësaj epidemie pritet të dalin në fillim të javës që vjen, ndërkaq të gjithë pacientët që janë paraqitur në spitalin e Poliçanit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ata janë kontrolluar nga mjekët specialistë dhe kanë marrë mjekimin e duhur./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami