Ky segment rrugor në hyrje të Tiranës është një prej 180 pikave të zeza të konstatuara nga ekspertë të fushës së inxhinierisë dhe qarkullimit rrugor.
Një prej tyre është inxhinieri Artur Sulçe, i cili prej dhjetë vjetësh merret me mënyrën e projektimit dhe vlerësimit të rrugëve si dhe me metodikën e llogaritjes së aksidenteve rrugore.
Artur Sulçe: “Ne nuk konstatojmë asnjë sinjalistikë horizontale ku të kalojë këmbësori dhe shikojmë që bllokohet herë pas here trafiku këtu në rrethrrotullim dhe detyrohen të vijnë policët rrugorë, të cilët të rregullojnë trafikun, të ndërpresin në një degë dhe të lejojnë lëvizjen e degës tjetër. Projektimi i këtij rrethrrotullimi nuk është konform gjithmonë komitetit evropian dhe konform numrit të mjeteve që lëvizin në të katër degët dhe kur projektohet një rrethrrotullim ka një shpejtësi projektimi dhe kjo shpejtësi projektimi mund të jetë 35 kilometër në orë. Ne shikojmë që bllokohet fare.”
Prej ditësh jemi bërë dëshmitarë të aksidenteve tragjike që po përgjakin rrugët pa dallime gjeografike.
Përgjegjësia deri më tani iu është faturuar drejtuesve të papërgjegjshëm të automjeteve, por siguria e rrugëve është ana tjetër e medaljes.
A munden këto rrugë ta përballojnë fluksin e madh të automjeteve që hyjnë gjatë sezonit veror?
A janë të pajisura ato me të gjithë sinjalistikën e duhur për të mos arritur deri tek bilancet e frikshme të viktimave në aksidentet rrugore?
Artur Sulçe: “Nuk konstatojmë ndonjë sinjalistikë të plotë këtu për këmbësorin, për të kaluar këmbësori këtu apo atje, pra sinjalistikë horizontale që të kalojnë, ndërsa ky kryqëzim është i rregulluar me semafor, me sinjalistikë të ndryshueshme, por ne shikojmë që nuk punon. Atëherë dhe në varësi të këtij bllokimi të trafikut kemi ndërhyrjen e policisë, ndërkohë që duke qenë se semafori nuk punon dhe në bazë të nenit 37 të kodit rrugor që është detyrimi i entit pronar duhet të vinin policët e bashkisë dhe nuk ka pse meqenëse nuk punon është një detyrim ligjor i tyre për ta rregulluar trafikun, jo policia rrugore e shtetit. Këtu kërkohet një ndërhyrje në rregullimin konstruktiv të këtij lloj kryqëzimi. Është imediate kjo sepse ne shikojmë gjithë këtë trafik dhe numrin e mjeteve që qarkullojnë në këtë segment rrugor dhe kjo është nga kryqëzimi i Unazës së Re dhe deri te kryqëzimi, siç duket që semafori nuk punon. Për këtë arsye kërkohet një zgjidhje. Thjesht kjo këtu të vendosej rrugë për të kaluar makinat ose të zgjerohej rruga diçka me tepër deri në momentin kur të vijnë projektet e tjera që mund të jenë projekte më të mëdha, por imediate është domosdoshmëri që zgjerimi i rrugës dhe…në mënyrë që rrugët e trafikut të mos ndërpriten me njëra-tjetrën. Është domosdoshmëri në një nyje, në një segment rrugor kur ne shikojmë që ka një numër aksidentesh pasi personalisht unë që të nyja të jetë ai ishulli i trafikut aty ka ndodhur mbi 4-5 aksidente, edhe ditën edhe natën, pra përplasjen automjet-këmbësor. Nuk konstatojmë asnjë projekt, një rrethrrotullim të vogël në të tre drejtimet, si nga rruga e Porcelanit, si nga rruga e Kinostudios dhe zbritja nga Dajti aty është një kaos i vërtet i ndërprerjes së rrymave të trafikut”.
Shumë polici në rrethe kanë marra masa drastike ndaj drejtuesve që thyejnë rregullat e qarkullimit duke i gjobitur dhe ndëshkuar rëndë kudo, një lëvizje që deri më tani ka rezultuar efikase, por me përmirësimin e sinjalistikës rrugore ndoshta nuk do të ishte e nevojshme të shpenzoheshin kaq energji në burime njerëzore me efektivë të policisë që zëvendësojnë herë semaforët që s’punojnë e herë tabelat e munguara të limiteve të shpejtësisë në rrugët kombëtare dhe autostrada./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani