Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u prit në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku në Vatikan. Në takimin e veçantë me Papa Françeskun, e shoqëruar edhe nga ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Frangaj, kryetarja e Kuvendit Spiropali i shprehu shenjtërisë së tij falenderim të thellë për kontributin e paçmuar që ka dhënë në mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave të humanizmit, drejtësisë shoqërore e paqes, për dashurinë e tij për Shqipërinë, e cila i ka dhënë botës Shën Terezën.
Po ashtu, kryetarja e parlamentit, falenderim shprehu edhe për bekimin e 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, të cilën Ati i Shenjtë e ka vlerësuar “Një trashëgimi historike të njerëzimit”.
Kjo vizitë e kryeparlamentares Spiropali në Selinë e Shenjtë përkon me 10-vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
Rastin e përkujtimit të kësaj vizite historike të Atit të Shenjtë e ka publikuar edhe Vatican News. Kjo media thekson se në pasditen kulturore pranë selisë së Filmotekës së Vatikanit mbajtën fjalën e tyre zonja Majlinda Frangaj, Ambasadore e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, vetë kryeparlamentarja Spiropali, Kardinali shqiptar Ernest Simoni, gazetari i “Avvenire”-s Mimmo Muolo, ku u paraqit filmi “Pritja” me regjisor Roland Sejkon.
Klan News