Aplikimi për të ushtruar veprimtarinë për stacion plazhi nis më 15 nëntor. Në mbledhjen e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik ministrja Mirela Kumbaro e vuri theksin te rregullorja e re e miratuar nga qeveria.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Nga data 15 nëntor deri më datë 15 dhjetor do të jetë periudha e aplikimeve të subjekteve të interesuara, online në sistemin e dedikuar nga AKSHI. Ndryshe nga vitet e kaluara subjektet që do të mund të aplikojnë për menaxhim stacionesh plazhi, do të jenë vetëm subjektet të cilat kanë një strukturë akomoduese në vijën e parë të plazhit ose në afërsi të vijës së parë.

Kumbaro tha se me rregullat e reja, prioritet u jepet plazheve publike dhe se ato mund të menaxhohen nga bashkitë.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Atje ku ka qenë e mundur kemi vënë një kriter ku në çdo 1 kilometër vijë bregdetare, 300 metra të jenë publike. Me rregulloren e re bashkitë kanë mundësi të bëjnë vetë investim në mobilimin e plazheve, nëse duan, pra të jenë bashkitë ato që ofrojnë shërbim me çadra dhe sigurisht me një çmim shumë të lirë dhe të aksesueshëm për të gjitha kategoritë sociale, se sa plazhet e menaxhuara nga subjektet private.

Ministrja paralajmëroi penalitete për bizneset në rast të shkeljes së rregulloreve, por edhe të qytetarëve që do të zaptojnë hapësirat publike duke vendosur çadra private. statistikat zyrtare tregojnë se për periudhën Janar – Shtator Shqipëria është vizituar nga 9.7 milionë turistë të huaj.

Klan News