Fitimi i statusit kandidat për në BE, përkthehet ndryshe në një dyfishim të asistencës financiare për Shqipërinë. Tre janë fushat ku do të adresohet ky financim që kanë të bëjnë me zhvillimin rajonal, burimet njerëzore si dhe zhvillimi rural.
Në Ministrinë e Integrimit ekspertë shqiptarë dhe të Komisionit Europian janë përfshirë në një proces analize të përgatitjes së palës shqiptare mbi menaxhimin e decentralizuar të asistencës komunitare.
Majlinda Bregu: “Lançimin i cili do të behët sot, të hartës së përbashkët Shqipëri-BE për fillimin e përgatitjeve për fondet e tre komponentëve që bëhen të mundshme në momentin që Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, do të jetë në qendër të diskutimeve të këtyre dy ditëve. Për ne është një takim mjaft i rëndësishëm sepse kemi mundësi që të konkretizojmë në terma konkret edhe përfitimet që Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë, në momentin kur nuk besoj larg Shqipëria do të ketë statusin e vendit kandidat.”
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Helmut Lohan, vlerësoi rëndësinë që shënon ky proces për Shqipërinë.
Helmuth Lohan: “Ky proces është i rëndësishëm pasi jep mundësinë e vlerësimit të kapaciteteve administrative të palës shqiptare, i kontribuon opinionit që Komisioni Europian po përgatit për Shqipërinë për të përfituar statusin e vendit kandidat. Por e kam ritheksuar, për ne, kualiteti është më i rëndësishëm sesa shpejtësia e procesit.”
Diskutimi mbi përgatitjen e palës shqiptare për menaxhimin e decentralizuar të asistencës komunitare është shoqëruar dhe me ardhjen në Tiranë të numrit më të madh të ekspertëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar procese të ngjashme./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi