Problemet fizike të shfaqura në seancat e shkuara janë hedhur pas krahëve nga Etrit Berisha. Portieri është stërvitur normalisht me skuadrën, me grupin që ka qenë i plotë nën urdhrat e trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij.
Kuqezinjtë kanë punuar për më shumë se 1 orë e gjysmë në fushën e lojës. Skuadra është ndarë në dy ekipe duke zhvilluar edhe një test miqësore brenda grupit për të qenë në nivel ndeshje dhe në ritmin e duhur para ndeshjes së të shtunës.
Kombëtarja shqiptare do t’i mbyll përgatitjet për duelin me Italinë të premten, aty ku mendohet të përcaktohet edhe formacioni që do të hidhet në fushë nga minuta e parë.
Gjasat janë që kuqezinjtë të luajnë me një sistem 4-3-3, ku çelsat e sulmit do i besohen dyshes Broja-Asani. Teksa në balotazh gjendet krahu i majtë i sulmit, me Seferin e Hoxhën që do luftojnë për një fanellë titullari.
Edhe në mbrojtje, balotazhi shihet në krahun e djathtë, aty ku veprojnë Hysaj e Balliu. Në daljen para mediave, mesfushori, Qazim Laçi u shpreh se ekipi është i motivuar për të dhënë maksimumin në këtë përballje.
Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares: Ndeshja e parë gjithmonë është pak më e vështira për të gjithë ekipet si për ne, si për Italinë. Të gjithë lojtarët mezi po presin të vazhdojë ky Europian. Ndeshja e parë do të jetë pak me stres.
Ndeshja e parë me Italinë do të luhet të shtunën në ora 21:00, në stadiumin e Dortmundit dhe ashtu siç i gjithë kompeticioni do të vij ekskluzivisht në ekranin e TV Klan.
Klan News