Lajme Arkiva -TV Klan 2003

Kështu mund të shpëtohen rastet më të dëshpëruara të viktimave që rrezikojnë të mbyten në det të hapur. Kjo stërvitje në Adriatik synon aplikimin e standardeve ndërkombëtare, për operacione të kërkimit dhe shpëtimit. Në këto manovra u përfshinë 720 forca të ushtrisë dhe marinës shqiptare, italiane, nga ushtria e Maqedonisë dhe disa trupa të NATO-s në rajon.

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë kishte shprehur vetë dëshirën për përfshirjen në këtë stërvitje në detin Adriatik. Megjithëse nuk ka vijë bregdetare, ku mund të aplikojë raste të kërkimit dhe shpëtimit në det, Maqedonia shpreh ambicie për një ushtri në nivel të standardeve të NATO-s.

Ditën e undit të manovrave, përveç ministrit shqiptar Majko, gjithçka është ndjekur me mjaft interes dhe nga Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë Buçkovski. Të dy ministrat, në fund të stërvitjes janë shprehur të kënaqur për nivelin e bashkëpunimit.

Pandeli Majko:- “Sot kjo është një stërvitje jo thjeshtë në konceptin midis Shqipërisë dhe Italisë, por ka përfshirjen e Maqedonisë, ka përfshirjen e trupave të NATO-s në Shqipëri, pra realisht po përpiqemi të tregojmë që jemi jo vetëm në standardet e NATO-s, por bashkëpunojmë sikur të jemi pjesë e së njëjtës familje”.

I pyetur nga gazetarët Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë është shprehur optimist, jo vetëm për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, por dhe në lidhje me luftën kundër elementëve terroristë në rajon, duke cilësuar si rast konkret arrestimin e sekretarit politik të AKSH Gafurr Adili./tvklan.al