Studentët e Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm të Universitetit Politeknik protestuan për çështjen e statusit të këtij fakulteti. Ata kërkojnë ndryshimin e këtij statusi nga fakultet i asociuar në fakultet të zakonshëm pasi ky ndryshim ka sjellë probleme në lëshimin e diplomave të niveleve të ndryshme.

Sipas studentëve, të cilët kanë mbaruar ciklin e parë të shkollimit, ata nuk mund të vazhdojnë ciklin e dytë apo të tretë pasi statusi aktual e pengon një gjë të tillë.

Dritan Gjoni: “E keqja e statusit të asociuar është se ne nuk kemi të drejtën që të vazhdojmë në nivelin e dytë të kartës së Bolonjës, pra tek plus dyshi, gjë që për ne është absurde. I bie sikur shteti ne po na hedh në rrugë, po na lë pa shkollë dhe prandaj kemi dalë të protestojmë derisa të zgjidhet kërkesa jonë”.

Ndërkohë studentët përkrahen edhe nga pedagogët e tyre, të cilët kanë nënshkruar një peticion drejtuar kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit të Arsimit, Fatos Beja.

Tatiana Mulaj: “Deformimi i bërë është kaq i madh sa departamentet e këtij fakulteti përsa kohë që ishin më vete kishin të drejtë të jepnin diploma universitare master dhe doktoraturë, kurse tani që janë të grupuara në një fakultet nuk kanë të drejtë të japin asnjë prej këtyre diplomave”.

Me vendim nr. 824 datë 5.12.2007 të Këshillit të Ministrave është vendosur krijimi i Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm si fakultet i asociuar.

Ndërkohë pas takimit që përfaqësues të Universitetit Politeknik zhvilluan me kryeministrin, ky i fundit ka porositur Ministrinë e Arsimit për të bërë ndryshimet e nevojshme.

Deri në zgjidhjen e çështjes së statusit, studentët dhe pedagogët shprehen se do të vazhdojnë protestën./tvklan.al