Ka përfunduar afati i lënë nga Ministria e Arsimit për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Vlorës, të cilët kanë ngelur jashtë për shkak të mesatares.
Edhe pse kanë kaluar 8 ditë që studentet qëndrojnë përpara dyerve të Universitetit të Vlorës nga ana e rektoratit vijon të mos ketë asnjë reagim apo rrugëzgjidhje për ta.
Prindër dhe studentë presin një reagim zyrtar dhe zbatim të vendimit të ministrit, që të mundësohet regjistrimi i tyre.
“Fëmijët tanë edhe ne si prindër vijmë vërdallë dhe nuk kemi ku të mbështetemi. Nuk dimë kë të kërkojmë dhe kë të gjejmë që të na japë të paktën një sqarim o ik mos hajdeni më se na thuhet të shohim nesër, të shohim nesër se ku ne nuk dimë absolutisht asgjë”.
“Gjithë kohës këtu kemi qenë nga e hëna deri në të hënë, po bëjmë 10 ditë ose 8 ditë dhe akoma asgjë. Deri tani jemi akoma në pritje.”
“Dita e tetë sot që ne studentët apo maturantët që kemi mbaruar vjet presim për fillimin e shkollës. Urdhri është dhënë nga ministria. Rektori i shkollës thonë që aprovoi ligjin, por deri më sot, dmth, ditën e tetë nuk është thënë asnjë gjë”.
“Është dita e tetë. Ne ndodhemi pranë ambienteve të universitetit. Nuk kemi asnjë përgjigje. Rrimë kot, vijmë nga larg”.
Janë rreth 500 maturantë fitues në degë të ndryshme të UV-së, që kanë mesataren nën 6 dhe nuk janë pranuar ende.
Ky kontingjent që përbën mbi 50% të fituesve të UV-së. Prej tre ditësh universiteti është i mbyllur, pas një e-maili të dërguar nga rektori Shaska, i cili sot është kthyer ne Shqipëri, por serish nuk ka kontaktuar me studentët./tvklan.al