Dhjetëra të rinj që kanë përfunduar studimet 4-vjeçare për juridik në universitetin Ismali Qemali në Vlorë kanë protestuar përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar që diploma e tyre të këtë titullin jurist ashtu siç e parashikon ligji. 

Këta studente janë pajisur me diploma të nivelit të parë në drejtësi, por ato rezultojnë te pavlefshme, pasi nuk u mundëson te diplomuarve vazhdimin e studimeve apo te njihen si juriste.

“Mbas katër vitesh studimi ne na japin një diplomë të tillë, e cila nuk parashikon titullin jurist për të cilin neve jemi diplomuar, për të cilën ne kemi mësuar katër vjet. Është një diplomë, e cila nuk ka asnjë lloj vlere. Është tërësisht nul. Nuk na pranon njeri në punë me këtë diplomë, nuk mund të konkurrojmë për magjistraturë”.

“Neve kemi hyrë në shkollë, dmth, kur në fuqi ka qenë ligji i vitit 1999, ndërkohë në 2007-tën ka hyrë në fuqi një ligj tjetër, praktikisht ligji 9741, i cili e njeh diplomën e sistemit të vjetër dhe e ekuivalenton atë me një diplomë të integruar të nivelit të dytë. Tani praktikisht neve i kërkojmë zotërinjve zyrtarë të Ministrisë së Arsimit që të aplikojnë ose njërin ligj ose tjetrin.”

“Ne kërkojmë nga ana juaj të miratoni një diplomë që të futet në tregun e punës, të miratoni një diplomë që të na japë mundësi për të vazhduar studimet më tej.”

Me protestën e studenteve te Vlorës janë bashkuar edhe ata te universitetit te Shkodrës, te cilët kane te njëjtin problem.

“Jemi paraqitur tek shkolla e Magjistraturës dhe nuk janë pranuar për t’u regjistruar si studentë edhe pse universiteti i Shkodrës ka lëshuar titullin jurist dhe tani kërkojmë dhe certifikimin ose regjistrimin në regjistrat themeltarë të Ministrisë së Arsimit sepse nuk ka pranuar që t’i regjistrojë diplomat e 2008-2009-tës. Ato kanë kërkuar që të regjistrohen si diploma të nivelit të parë”.

Në mungesë të një përgjigje nga Ministria e Arsimit, studentët e Universitetit të Vlorës të mbështetur dhe nga universiteti i Shkodrës dhe ai i Tiranës paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri në greve urie./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami