Lajme Arkiva 2003

Një studim mbi grupet sociale në risk apo shtresën e varfër në kryeqytet si edhe investigimi i nevojave dhe identifikimi i fushave për ndërhyrje është kryer nga Bashkia e Tiranës mbështetur dhe financuar nga UNICEF.

Studimi ka si qëllim përveç identifikimit të grupeve në nevojë dhe shkaqeve të varfërisë edhe për të mësuar nivelin e plotësimit të tyre nga institucione shtetërore apo jo qeveritare që ofrojnë shërbime sociale në kryeqytet.

Edi Rama: Nuk ndihmon askënd kjo lloj mënyre e shikimit dhe e pasqyrimit të këtij realiteti ku është shteti. Përkundrazi kjo ushqen një psikozë nga e cila ne duhet të ndahemi, psikozën e regjimit të kaluar ku shteti përgjigjej për gjithçka kurdoherë në çdo gjë dhe vazhdimisht ndërkohë që këtu kemi të bëjmë me domosdoshmërinë për të krijuar një ndërveprim midis individit, qytetarit, grupeve të interesuara, rrjetit të organizmave jo fitimprurëse pushtetit vendor dhe natyrisht edhe qeverisjes vendore qendrore.

Përsa i përket varfërisë, 1/3 e banorëve tiranas janë të varfër. Sipas studimit papunësia ka rënë në 25%. 96% e fëmijëve të paaftë janë të pashkolluar. Abandonimi i arsimit të detyruar është dy herë më i lartë në familjet e varfra se në pjesën tjetër të familjeve kryeqytetase.

Përsa i përket shërbimit shëndetësor Tirana ka nivel të lartë vaksinimi prej 98% ndërsa fëmijët e varfër të periferisë kanë një mungesë vaksinale më të ulët. Ndihma ekonomike mbështet me të ardhura vetëm 15% të familjeve që jetojnë në varfëri. Problematikë është parë përdorimi i drogës. Brenda një kohe mjaft të shkurtër ekzistojnë 10.000 përdorues të rregullt droge në kryeqytet, ku vetëm një përqindje e vogël e përdoruesve fitojnë shërbime distoksikimi. Ndërsa dhuna emocionale fizike, apo seksuale ndaj gruas është e pranueshme në kryeqytet ku vetëm 1% e tyre mbështetet nga qendra e këshillimit.

Tani Bashkia ka të dhëna të plota për gjendjen ekonomike e sociale të kryeqytetit ku mendohet se pas një studimi të tillë bëhet më e lehtë edhe ndërhyrja./tvklan.al