Të paktën 16 persona janë vrarë si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës. Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarët palestinezë, ndërsa kanë deklaruar se dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Ndërtesa e shkollës po strehonte mijëra persona, të cilët ishin zhvendosur në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në Gazën Qendrore, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se goditën disa terroristë që vepronin në strukturat e vendosura në zonën e shkollës Al-Jaouni. Gjithashtu, raportohet se 10 persona janë vrarë në një sulm tjetër ajror në një shtëpi në kamp.
Ndërkohë, ditët e fundit janë rritur shpresat se një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit është në horizont, pas muajsh fillimesh të rreme. Izraeli ka njoftuar se do të dërgojë një ekip negociatorësh javën e ardhshme për të diskutuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve me Hamasin.
Kjo vjen pasi një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Hamasi kishte rënë dakord për rregullime mjaft të rëndësishme në pozicionin e tij në lidhje me një armëpushim të mundshëm.
Një burim i lartë i Hamasit tha për prestigjiozen “Reuters” se grupi kishte rënë dakord të fillonte bisedimet për lirimin e pengjeve izraelitë 16 ditë pas fazës së parë të propozuar të një marrëveshjeje që synonte t’i jepte fund luftës në Gaza./tvklan.al