Ndërsa miliona ukrainas festojnë Krishtlindjen, Rusia kreu sulme masive me raketa dhe dron mbi infrastrukturën energjetike të vendit.
Forcat ruse lëshuan më shumë se 70 raketa si dhe 100 drone, ndërsa mbrojtja ajrore rrëzoi mbi 50 raketa. Të paktën gjashtë persona mbetën të plagosur në rajonin verilindor të Kharkivit, që u sulmua me raketa balistike ruse.
Alarmet për sulme ajrore ranë në të gjithë vendin, përfshirë Kievin, ku njerëzit u strehuan në stacionet e metrosë. Rusia konfirmoi sulmin masiv, duke thënë se “qëllimi u arrit”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se ka zgjedhur qëllimisht Krishtlindjet për të kryer sulmin, duke e cilësuar atë “çnjerëzore”.
“Çdo goditje masive ruse kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje e ndërgjegjshme, jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datës. Sot, Putini zgjodhi qëllimisht Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore? Ata vazhdojnë të luftojnë për një ndërprerje të energjisë në Ukrainë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Para se Rusia të kryente sulmin, besimtarët ukrainas ndoqën një shërbesë për Krishtlindjet në katedralen e Shën Michael të Kievit, duke shpresuar për fitoren dhe paqen që do të vijë në 2025.
Shumica e ukrainasve janë të krishterë ortodoksë dhe kisha kryesore e vendit ra dakord në vitin 2024 që të heqë 7 janarin si ditën e festimit të Krishtlindjes duke e zëvendësuar atë me 25 Dhjetorin.
Klan News