Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të hënë në Ferizaj të Kosovës. 4 persona mbetën të plagosur me thikë, nga një 59-vjeçar. Ngjarja ndodhi në 3 rrugë të ndryshme: “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”.
Autori i dyshuar sulmoi kalimtarë të rastit, për shkaqe momentalisht të paqarta. Të plagosurit janë dy vajza minorene, njëra prej të cilave vetëm 10 vjeçe, si dhe dy djem të moshës 29 dhe 32 vjeç. Ata u dërguan me urgjencë në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Autori i dyshuar është arrestuar nga policia, e cila po heton dhe motivet e këtij sulmi.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën “Riza Matoshi” në afërsi të qendrës tregtare ”Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krim-teknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura”, tha në një reagim për Klan Kosovën, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli./tvklan.al