Sulmi i Iranit me dronë dhe raketa ka bllokuar disa turoperatorë shqiptarë në Izrael. Në një lidhje direkte për Klan News, Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit, Herida Duro, e cila ndodhet në Izrael ka treguar me detaje se si e kanë përjetuar këtë sulm.
Gjatë fjalës së saj, Duro ka thënë se sulmi është menaxhuar me qetësi dhe nuk kanë përjetuar momente paniku. Më tej, ajo është shprehur se kjo ka sjellë bllokim të fluturimeve, por që pritet të nisen mbrëmjen e sotme drejt Qipros për t’u kthyer ditën e nesërme në Tiranë.
Herida Duro: Ne jemi të vendosur në hotelin ku dhe kishim rezervuar paraprakisht që para ardhjes tonë në Izrael, në mes të Tel Avivit, në një prej lagjeve me prezencë të vizitorëve të huaj kryesisht. Mendoj se jemi në një normalitet për vetë situatën dhe menaxhimin se si autoritetet këtu e menaxhojnë një situatë të tillë, e përsëritur tashmë. Nuk ka as panik dhe është e menaxhuar me qetësi.
Enita Mema: Ju kur duhet të niseshit për Shqipëri, si është situata e fluturimeve?
Herida Duro: Përveç orarit të fluturimeve që janë spostuar për shkak dhe orëve që nuk bëhet e mundur të fluturohej, kemi një spostim të orarit. Ne do të nisemi sot në mbrëmje drejt Qipros për t’u kthyer gjatë ditës së nesërme në Tiranë. Axhenda ishte parashikuar e tillë në 3 ditë intensive. Situata nuk ndryshoi asgjë nga itinerari i planifikuar dhe të gjitha takimet u zhvilluan të plota.
Enita Mema: Si e keni përjetuar ditën e djeshme, sulmin e Iranit? Si u soll e gjithë struktura aty ku ndodheshit juve?
Herida Duro: Në momentin më të parë, informacionin e morëm nga ambasadorja që pa na krijuar panik, na informoi se në 48 orët e ardhshme, Irani do të kishte një sulm të mundshëm. Paralelisht, vazhduam të gjithë programin e ditës, dje patëm dhe vizitë të rëndësishme në Jeruzalem. Nuk patëm asnjëlloj ndjesie negative për vetë faktin që Tel Aviv ka një nivel shumë të lartë sigurie.
Enita Mema: Sa është numri i shqiptarëve në këtë delegacion?
Herida Duro: Delegacioni është i përbërë nga përfaqësues të Unionit Turistik Shqiptar dhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit. Ne kemi bërë propozimet tona. Ne duhet të niseshim sot herët në mëngjes, por për shkak të bllokimit të disa linjave ajrore, por tani kemi gjetur udhëtimin e radhës dhe besoj se do të jemi në shtëpi shëndosh e mirë shumë shpejt.
/tvklan.al